AKTUALITET, 12 Janar 2022, 15:46

Protesta e 8 janarit/ Gjykata vendosi lirimin e 18 të arrestuarve, Vokshi: Heronj të demokracisë! Basha urdhëroi dhunimin e demokratëve

Protesta e 8 janarit/ Gjykata vendosi lirimin e 18 të arrestuarve, Vokshi:

Është mbajtur sot seanca gjyqësore për të arrestuarit  për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike. Në përfundim të saj në një prononcim për mediat, deputetja Albana Vokshi, e shoqëruar nga një grup i anëtarëve të Komisionit të Rithemlimit, u shpreh se masat e sigurisë për lënien e tyre të lirë vërtetoi se protesta e 8 janarit ishte paqësore.

Ajo ka vijuar akuzat se me urdhër të Lulzim Bashës persona brenda selisë së PD ushtruan dhunë mbi demokratët. Po ashtu sipas Vokshit nuk kanë qenë protestuesit ata që kanë thyer xhamat e selisë blu, por personat që ndodheshin brenda godinës.

"Edhe seanca e sotme gjyqësore për masat e sigurisë për 18 protestuesit dëshmoi që protesta e 8 janarit ishte paqësore. Të 18 protestuesit u vërtetua se ishin arrestuar padrejtësisht. Nuk pati asnjë fakt dhe pamje filmike për t’i impikuar ata në dhunë. 18 demokratët kanë protestuar në mënyrë paqësore. Janë shoqëruar në ambiente shumë larg selisë së PD.

Arrestimi i tyre është i paligjshëm dhe është bërë me lista brenda partisë.  Ajo çka u vërtetua edhe sot ishte që as organet ligjzbatuese nuk kanë reaguar në kohën e duhur. Në datën 8, Lulzim Basha urdhëroi të ushtrohej dhunë mbi demokratët,  18 protestuesit janë sot heronj të demokracisë. 8 janari vërtetoi se ka një opozitë të vërtetë dhe dinjitoze.

Xhamat e katit të parë janë thyer nga brenda me sende të forta teksa sulmonin me karrige, tavolina dhe gaz protestuesit. Kam qenë vetë prezentë. Keni pamje që transmetohen në media se si thyhen nga brenda. Hetimet duhet të vazhdojnë se kush i ka dhunuar demokratët", tha Vokshi.