AKTUALITET, 8 Korrik 2026, 15:52

"Standarde të dyfishta"/ Federata Egjiptiane e Futbollit kërkon përjashtimin e arbitrave të ndeshjes ku humbën me Argjentinën

"Standarde të dyfishta"/ Federata Egjiptiane e Futbollit

Federata Egjiptiane e Futbollit ka bërë të ditur se i ka kërkuar FIFA-s të përjashtojë nga Kupa e Botës zyrtarët e ndeshjes ku humbën 3-2 ndaj Argjentinës në fazën e 1/8-ave.

Federata njoftoi se ka paraqitur një ankesë pranë organit qeverisës të futbollit botëror, duke kërkuar një hetim për atë që e cilësoi si "standarde të dyfishta" në gjykimin e ndeshjes së zhvilluar në Atlanta.

Kur Egjipti kryesonte 1-0 në pjesën e dytë, sistemi VAR anuloi një gol të shënuar nga Mostafa Zico, pasi mesfushori Marwan Attia u ndëshkua për shkeljen e këmbës së Lisandro Martinez në fillim të aksionit.

Egjiptianët pretenduan gjithashtu se Mohamed Salah iu shkaktua faull brenda zonës së Argjentinës, vetëm pak sekonda përpara se kampionët në fuqi të niseshin në kundërsulm dhe të shënonin golin e fitores në minutat shtesë.

Në deklaratën e Federatës thuhet:

"Hany Abou Rida, presidenti i Federatës Egjiptiane të Futbollit, paraqiti një ankesë në FIFA duke kërkuar hetimin e arbitrit francez François Letexier, pas gabimeve të rënda të kryera nga ekipi i arbitrave dhe standardeve të dyfishta, të cilat çuan në humbjen e Egjiptit dhe eliminimin nga Kupa e Botës."

Federata kërkoi gjithashtu hetimin e ekipit të arbitrave dhe arbitrave të VAR-it për ato që i cilësoi si "gabime flagrante dhe këmbëngulje për të mos rishikuar disa pamje filmike".

Po ashtu, ajo kërkoi "përjashtimin e arbitrit dhe të gjithë ekipit të arbitrimit nga Kupa e Botës pas hetimit të këtyre gabimeve", duke akuzuar për "diskriminim ndaj kombëtares egjiptiane".

Egjipti nuk ka arritur kurrë në çerekfinalet e Kupës së Botës.

Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, i cili mund të jetë duke luajtur Kupën e tij të fundit të Botës, dha asistin për golin e parë të ekipit të tij në minutën e 79-të dhe shënoi golin e barazimit në minutën e 83-të.

Pas ndeshjes, trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, deklaroi se skuadra e tij ishte "trajtuar padrejtësisht" dhe se kishte "vuajtur një padrejtësi".

"Ndoshta donin ta mbanin kampionin e botës në garë. Ndoshta donin që Messi të vazhdonte rrugëtimin në turne," tha ai.

Mostafa Zico shtoi: "Arbitri ishte vërtet i padrejtë. Padrejtësia ishte e qartë. Ka pasur padrejtësi që nga fillimi i ndeshjes. Është e qartë se ky turne është manipuluar."