TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta qytetare kundër kryeministrit Edi Rama ka vijuar sot për të 38-ën ditë radhazi në Tiranë, ku qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese.
Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, protestuesit përsëritën thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen!” dhe “Nesër më shumë”, ndërsa në podium u mbajtën një sërë fjalimesh ku u kritikua qeverisja dhe u ngritën akuza për mënyrën e përdorimit të fondeve publike.



Një nga temat kryesore të protestës ishte vendimi i qeverisë për të akorduar 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Aktivisti Arbër Lleshi deklaroi se fondet publike po përdoren për një artist, ndërkohë që, sipas tij, sistemi shëndetësor përballet me mungesa.



“Një nga këngët e Kanye West titullohet ‘Rroftë Hitleri’. Ndërkohë në vend njerëzit vdesin nëpër spitale sepse nuk ka pajisje dhe nuk ka ilaçe, ndërsa qeveria jep 4 milionë euro nga fondi rezervë për një koncert”, tha ai.
Edhe një protestuese e ndalur te kjo çështje akuzoi qeverinë se ka përdorur fondin e emergjencës për koncertin.


“Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës, fondin që nuk e ka zhbllokuar as kur ra tërmeti dhe as kur ka pasur përmbytje. Çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për biletën e koncertit, edhe pse nuk do të shkojë në atë koncert”, u shpreh ajo.


Gjatë protestës nuk munguan as thirrjet drejtuar SPAK-ut. Një prej protestuesve kërkoi hetim për fondin e akorduar për koncertin, duke deklaruar: “Na quajtën korba e sorra, por ne nuk do të largohemi nga sheshi. Bëj thirrje SPAK të hetojë 4 milionë euro që do të shkojnë për koncertin.”
Aktivisti Sazan Guri u shpreh se protesta nuk do të ndalet, duke theksuar se “nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen”, ndërsa shtoi se qytetarët e kanë “rrethuar demokratikisht dhe moralisht” kryeministrin Rama.
Një tjetër protestues deklaroi se lëvizja qytetare nuk është kundër vetëm qeverisë, por edhe klasës politike në tërësi.


“Kjo protestë i ka zënë si miu në çark Edi Ramën dhe Sali Berishën. Nuk do të largohemi pa dhënë dorëheqjen këta intrigantë. Nuk jemi këtu për lëmoshën e tyre, por për t’u thënë: zhdukuni e largohuni”, tha ai.
Në fund të tubimit, Arbër Lleshi denoncoi edhe atë që e cilësoi presion ndaj familjarëve të protestuesve që punojnë në administratën publike.

“Kemi parë që po përndiqen prindërit e protestuesve vetëm sepse punojnë në administratë. Nëse dikush guxon t’i largojë nga puna për shkak të pjesëmarrjes në protestë, do të përballet me forcën e qytetarëve. Drejtësia mund të vonojë, por nuk do të harrojë”, deklaroi ai.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në rrugët e kryeqytetit, duke mbyllur ditën e 38-të të protestës me thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen!” dhe “Nesër më shumë”, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e tubimeve edhe në ditët në vijim.