TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka shpallur moskompetencë për dosjen e kokainës së kompanisë ‘Alba Exotic Fruits’, duke e deleguar atë në Prokurorinë e Durrësit.
Kompanisë i janë kapur 6 herë drogë në Portin e Durrësit. Në fund të korrikut, Prokuroria e Posaçme ka marrë vendimin për t’ia kaluar Prokurorisë së Rrethit Durrës çështjen në ngarkim të Eduart Dautit dhe Bajron Gumenit, vëllait të tij.
Sekuestro e kompanisë e konfirmuar nga Gjykata e Lartë mbetet në fuqi, ndërsa Prokuroria e Durrësit e ka regjistruar si çështje dhe në shtator do të nisë shqyrtimin e saj.
SPAK ka shpallur moskompetencë për këtë çështje për arsye sepse sipas Prokurorisë së Posaçme nuk ka prova për grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Tashmë i takon Prokurorisë së Durrësit që të provojë akuzën për trafik ndërkombëtar kokaine.
Kujtojmë se 1 muaj më parë, Gjykata e Posaçme i dha tre muaj afat SPAK që të hetojë trafikun e kokainës të kapur në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”, që sollën banane në Shqipëri.
Afati u përcaktua deri më 13 tetor 2022 pasi SPAK pretendoi se po priste letërporosi nga Holanda dhe Ekuadori. Për këtë aktivitet kriminal janë në burg dy vëllezërit Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni.
Gumeni e Dauti mohojnë përfshirjen në trafik droge dhe deklarojnë se merren me fruta. “Alba Exotic Fruit” në harkun kohor 3 vite i janë kapur 6 sasi të ndryshme me kokainë. Eduart Dauti, i cili u arrestua pak kohë më parë, është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit” dhe sipas të dhënave 10% të aksioneve i ka Barjon Gumeni, i arrestuar në 13 korrik 2021, pas kapjes së ngarkesës së radhës me kokainë në kontejnerin e kompanisë. Bajron Gumeni ka ndryshuar emrin, por ai rezulton të jetë vëllai i Eduart Dautit.
SASITË E BLLOKUARA TË KOKAINËS
Në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë. Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera.
Më 29 korrik 2021, kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë. Kompania “Alba Exotic Fruit” rezulton e përmendur edhe më parë në “historinë” me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.