AKTUALITET, 19 Janar 2024, 09:12

Sot mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore, e drejtojnë Gjiknuri dhe Alibeaj

Sot mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore, e drejtojnë Gjiknuri dhe

Sot në ora 11.00 do të mblidhet Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, që do të drejtohet nga Damian Gjiknuri i PS dhe Enkelejd Alibeaj i PD.

Mbledhja e  Komisionit per Reformen Zgjedhore vjen pas takimeve që u zhvilluan me zyrtarët e OSBE.

Damian Gjiknuri zhvilloi me përfaqësuesit e OSBE-së nëj takim ku më pas përmes një postimi në “Facebook”, politikani socialist bëri me dije se gjatë takimit u diskutua lidhur me rifillimin e punës së komisionit për reformën zgjedhore.

Sipas tij, synimi i punimeve të këtij komisioni mbeten rekomandimet e OSBE-ODIHR, si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Disa ditë më parë kreu i KQZ iu drejtua krerëve të partive politike në vend me një letër. Në këtë letër Celibashi i ka rikujtuar disa çështje lidhur me përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve që do të mbahen në vitin 2025. Kreu i KQZ tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të plotësojë dhe vlerësojë mbi nevojën për plotësimin e boshllëkut ligjore, si dhe theksoi se nëse nuk do të plotësohen boshllëqet në Kodin Zgjedhor, atëhere nuk do të jetë i mundur votimi nga jashtë.

Komisioni për reformën zgjedhore ka si objektiv realizimin e ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor duke u bazuar në rekomandimet e fundit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Raporti përfundimtar i monitoruesve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për abuzime me pushtetin gjatë fushatës, ndërsa Partia Demokratike u kritikua për ngritjen e “strukturave paralele” të mbrojtjes së votës.

Në Komision do të marrin pjesë 18 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim dhe një përfaqësues deputet i pavarur.

Deri më tani nga opozita kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Komision Enkelejd Alibeaj, Kreshnik Çollaku dhe Eralda Tase (anëtare zëvendësuese e PD në Komision), deputetë këta të gjithë të grupuar krah Lulzim Bashës.

Pjesa tjetër e deputetëve nga opozita, Oerd Bylykbashi, Dashnor Sula, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Linda Metaliaj dhe Petrit Vasili nuk kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen e tyre në Komision.

Në listën e miratuar një vit më parë për pjesëmarrësit në Komision është edhe emri i ish-deputetes demokrate, Grida Duma, e cila me sa duket do të zevendësohet nga Eralda Bano e listuar në emrin e anëtarëve zëvendësues në Komsiionin për Reformën Zgjedhore, por ende nuk ka një njoftim zyrtar se nga cili deputet do të zëvendësohet.