AKTUALITET, 24 Korrik 2023, 10:09

Socialistët e Rrogozhinës shpërthejnë në lotë, ngrejnë në krahë kandidatin e PS-së

Socialistët e Rrogozhinës shpërthejnë në lotë,

Vetëm pak çaste pas shpalljes së zgjedhjeve festë e madhe jashtë KZAZ-së në Rrogozhinë ku u numëruan votat që shpallën fitues kandidatin e PS-së Edison Memolla, socialistët e Rrogozhinës, kryesisht burra kanë thirrur emrin e tij “Edi, Edi”, teksa kanë shkëmbyer puthje e përqafime.

Nuk kanë munguar as lotët, ndërsa më pas e kanë ngritur në krahë kandidatin fitues Memolla, duke e rrethuar me përqafime.

Ndonëse në zgjedhjet e 14 majit, kandidati i PS-së fitoi me një diferencë të diskutueshme votash, që solli dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për përsëritjen e tyre, në zgjedhjet e mbajtura dje, Memolla ka marrë 6658 vota, ndërsa Shkëlqim Hoxha i “BF” mori 4906, mbi 700 vota diferencë.

Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, ka fituar zgjedhjet në Rrogozhinë. Kandidati socialist ka fituar rreth 57.6% të votave. Kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha, ka marrë 42.4% të votave.

Pas numërimit edhe të kutisë së fundit, Memolla u shpreh shumë i lumtur për fitoren. Në këto dy muaj, ai u shpreh se pati mundësi të rikuperonte rezultatin dhe të kërkonte ndjesë për gabimet që u bënë në zgjedhjet e 14 Majit.

“Ndihem shumë i lumtur. I jam mirënjohës të gjithë popullit të Rrogozhinës që më mbështeti masivisht këtë radhë të majtë apo të djathtë. Jam shumë mirënjohës pasi këto dy muaj kemi pasur mbështetje masive që në 14 Maj nuk e kishim. Gjatë kësaj kohe kishim mundësi që të rikuperonim dhe të kërkonim ndjesë në ato gabime që u bë dhe rezultati tregoi që ia dolëm dhe gjetëm pikat e dobëta që kishim”, tha Memolla.

Sipas tij, qytetarët e kanë votuar për shkak të programit.

“Kjo tregon që programi jonë ka qenë më i mirë se programi i kandidatit tjetër dhe gjatë kësaj kohe ka qenë një fushatë shtëpi më shtëpi dhe me gjithë njerëzit në terren. Ka qenë kjo gjë që na ka ndikuar dhe na kanë mbështetur. Kanë qenë dy muaj punë intensive shtëpi më shtëpi, duke iu kërkuar dorën e bashkëpunimit për t’ia kthyer në punë si në bujqësi dhe turizëm që pretendojmë ta kthejmë Rrogozhinën gjatë këtyre 4 viteve. Zotimi më i madh është kthimi i qytetit të Rrogozhinës elitar në turizëm dhe ta ngrejmë lart bujqësinë në nivele të larta në bashkinë tonë”, tha Memolla.

I pranishëm me të gjatë gjithë kohës ka qenë Etjen Xhafaj, i cili u shpreh se Partia Socialiste mëson nga gabimet dhe përpiqet gjithmonë të bëjë më të mirën.  

“Ka një kuptim të madh që është fabula e të gjithëve. Mësojmë nga pësimet tona, përpiqemi gjithmonë të bëjmë më mirë dhe kjo jo vetëm ne personalisht, sepse besoj se si ekip dhe i gjithë populli i Rrogozhinës, na ndihmoi, u përgjigj dhe na suportoi gjatë këtyre dy muajve. Zgjodhëm ta merrnim si mundësi për të bërë më mirë, për të treguar më tepër nga ajo që jemi të aftë të bëjmë dhe me organizim kemi arritur të prodhojmë këtë rezultat”, tha Xhafaj.

Kujtojmë se të dielën e 23 Korrikut, zgjedhjet në Rrogozhinë u përsëritën. Ajo që ra në sy në këto zgjedhje ishte pjesëmarrja më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit, duke regjistruar gati 1102 votues më shumë.

Gjatë procesit të votimit u regjistrua vetëm një incident që kishte të bënte me fotografimin e votës nga një çift.

Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve në Rrogozhinë u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, teksa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Ndryshe nga 14 Maji, të burgosurit nuk u lejuan të votojnë të dielën për shkak të afateve kohore.