TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka reaguar për situatën problematike të zjarreve në Vlorë. Në një status në Facebook, Meta ka ndëshkuar papërgjegjshmërinë e institucioneve duke thënë se ky krim mjedisor ka pasoja tepër të rënda për shëndetin e banorëve dhe turistëve dhe se gjithashtu dëmton imazhin e Vlorës dhe të Shqipërisë.
"Në kulmin e sezonit turistik është e papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore në Vlorë që vazhdon prej mesditës si pasojë e djegies së mbeturinave!
Neglizhenca dhe papërgjegjshmëria për menaxhimin e situatës nga Bashkia e Vlorës dhe Qeveria po i kushton shumë turizmit shqiptar.
Ky krim mjedisor, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e banorëve dhe të turistëve, dhe që dëmton seriozisht imazhin e Vlorës dhe Shqipërisë, meriton reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse!" shkruan ai.
Tymi i zi pushtoi qytetin bregdetar të Vlorës, pasi vendgrumbullimi i mbetjeve urbane u përfshi nga flakët këtë të diel.
Flakët kanë përshkuar pothuajse të gjithë fushën e mbetjeve urbane të qytetit. Siç shihet në pamje, tymi ka pushtuar një sipërfaqe të madhe, duke shkaktuar dëm kolosal për qytetin, pasi djegia e mbeturinave çliron kimikatet e dëmshme për organizmin.
Forca të shumta zjarrfikëse, por dhe punonjës të bashkisë janë duke punuar për të izoluar flakët, por era që fryn ka përkeqësuar situatën. Zjarri i madh rrezikon edhe banesat afër vatrës.
Fusha e mbetjeve urbane në Vlorë është përfshirë edhe më parë nga flakët, ndërsa shkaqet nuk dihen ende, teksa nuk përjashtohet fakti se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.