AKTUALITET, 23 Prill 2025, 11:32

Shtyhet seanca/ Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës: SPAK dorëzon në GJKKO përgjimet e SKY mes Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit

Shtyhet seanca/ Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës: SPAK dorëzon

Në seancën në GJKKO për vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës, ku dëshmoi për herë të parë Dritan Rexhepi, SPAK ka dorëzuar prova të reja.

Mësohet se Prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini, ka paraqitur komunikime të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC, që sipas saj janë mes të pandehurve Dritan Rexhepi dhe Altin Hajri. Kaçkini tha se komunikimet janë bërë në vitin 2020 dhe të dy falsin me interes të madh për këtë çështje.

“Komunikimet kanë ardhur nga francezët. Komunikimet i përkasin Dritan Rexhepit dhe Altin Hajrit. Këto prova kanë ardhur së fundmi, ndaj kërkojmë t’ia paraqesim gjykatës. Do kërkonim te mos bëheshin publike. Komunikimet i përkasin periudhës së vitit 2020. Kanë të bejne pikërisht me çështjen penale, interesimin e tyre të vazhdueshëm për këtë çështje, çfarë ka ndodhur etj etj.

Shtyhet seanca për në 7 maj. Ndërkohë, është dhënë edhe një urdhër për shoqërimin e detyrueshëm të Aldo Manjishtës, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.

Për herë të parë në gjykatë ka dëshmuar Dritan Rexhepi, i akuzuar si porositësi i rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, në vitin 2020.

Rexhepi u ekstradua dy muaj më parë në vendin tonë nga Ekuadori. Ai iu përgjigj pyetjeve të dy prokurorëve të çështjes. Dëshminë e nisi duke pohuar se prokurorët “i kanë hipur një treni të gabuar dhe duan të shkojnë aty ku dëshirojnë vetë”.

Rexhepi ka mohuar çdo gjë që e lidh me ngjarjen. Prokurorët e SPAK-ut e pyetën nëse njihej me ndonjë prej vëllezërve Prenga, njëri prej të cilëve u rrëmbye.

Dritan Rexhepi mohoi se nuk njihte asnjë prej tyre dhe shtoi se kur ka ndodhur ngjarja, ai ka qenë në burg, në Ekuador për trafik droge.

Kur u pyet nëse ngjarja kishte lidhje për faktin se një prej vëllezërve të Jan Prengës ishte bashkëpunëtor me të në trafikun e drogës në Angli, Dritan Rexhepi e mohoi edhe këtë gjë. Po ashtu, deklaroi se këto lajme i ka marrë vesh nga të afërmit e tij dhe jo nga celularët që mund të ketë mbajtur ilegalisht në ambientet e burgut.