AKTUALITET, 25 Janar 2024, 23:48

‘Është e tmerrshme, unë nuk do ta bëja kurrë’, imami i xhamisë së Et’hem Beut dënon martesën e mjekut me 16-vjeçaren

‘Është e tmerrshme, unë nuk do ta bëja

Elton Karaj, imam në xhaminë e Et’hem Beut, duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për rastin e mjekut Dervish Hasi që ishte martuar me një 16-vjeçare si grua e katërt nga një imam i një xhamie në periferinë e Tiranës, tha se ai nuk do ta kishte bërë kurrë një gjë të tille dhe se ka refuzuar me dhjetra raste.

“Unë nuk do ta bëja kurrë. Unë kam patur me dhjetra raste të tilla që vijnë nën moshë, vijnë për martesë të dytë, që vijën të huaj dhe unë nuk i bëj dhe u shpjegoj.

Ky është një rast tmerrues në aspektin personal. Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe ndajmë vlera të përbashkëta. Nëse bëhet fjalë për moshën 14, 15, 16, në një vend ku mesatarja e formimit të identitetit është mbi 16 vjeç...

Është e tmerrshme që dikush të përfshihet në këtë. Mosha është 18-vjeçare dhe nuk lejohet nikahu në xhami nën 18 vjeç. Në shtet bëhet celebrimi në moshën 18 e sipër. Martesa duhet të ruajë gruan, fëmijët për një të ardhme të shëndetshme.

Komuniteti Mysliman nuk i lejon martesat e dyta, sepse duhet celebrimi për të bërë nikahun në xhami. Kjo është një mënyrë që mund të frenohet. Komuniteti Mysliman ka bërë edhe një qarkore dhe sot kemi patur një mbledhje me myftinjtë dhe të gjithë ata ishin të shqetësuar nga ky rast”-tha Karaj.