TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria ka arritur rezultate mjaft të mira sa i takon betejës ndaj hepatitit B tek fëmijët, duke e vendosur nën kontroll. Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet që të japë certifikimin për eliminimin e plotë tek fëmijët në Shqipëri të këtij infeksioni viral.
Eliminimi i hepatitit B ka ardhur si rezultat i vaksinimit të foshnjave brenda 24 orëve të para të lindjes. Të dhënat bëhen të ditura nga një studim kombëtar i realizuar nga Institui i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Prej më se një dekade nuk kemi pasur raste të hepatitit B tek mosha fëminore 0-14 vjeç. Për shkak të kësaj arritjeje, Shqipëria do të certifikohet nga OBSH për eliminimin e hepatitit B në grup-moshën pediatrike”, u shpreh Artan Simaku, specialist i ISHP-së gjatë një prononcimi për “Klan Tv”
“Hepatiti B është një infeksion viral i cili prek mëlçinë. Është sëmundje e rëndë, pasi në disa raste, në formë kronike, mund të përfundojë në cirrozë, një stad i avancuar i sëmundjes së mëlçisë, apo edhe të çojë në kancer të mëlçisë”, u shpreh Simaku.
Sipas OBSH, çdo ditë regjistrohen 3500 vdekje në botë nga infeksionet e hepatitit viral. Hepatitet janë mjaft të përhapura në disa grupe risku, si tek përdoruesit e drogave intravenoze, hemofilikët dhe të politransfuzuarit, tek të cilët mund të arrijë 70–80%.
Hepatiti B është një infeksion viral që prek mëlçinë dhe mund të shfaqet në formë akute ose kronike, duke shkaktuar dëmtime të rënda si cirrozë ose kancer i mëlçisë në rastet më serioze.
Infeksioni shkaktohet nga virusi i hepatitit B (HBV) dhe transmetohet përmes kontaktit me gjak ose lëngje trupore të personit të infektuar. Më shpesh përhapet nga nëna tek fëmija gjatë lindjes, përmes kontakteve seksuale të pambrojtura, përdorimit të gjilpërave ose instrumenteve të pa sterilizuara dhe transfuzioneve me gjak të infektuar.
Shumë herë, hepatiti B nuk jep simptoma të dukshme. Kur ato shfaqen, mund të përfshijnë lodhje, temperaturë, të vjella, humbje të oreksit, dhimbje barku, urinë të errët dhe zverdhje të lëkurës dhe syve. Tek të rriturit, infeksioni shpesh shërohet vetvetiu, ndërsa tek foshnjat ka rrezik më të lartë të zhvillohet në formë kronike.
Parandalimi mbetet arma më e efektshme kundër hepatitit B. Vaksina, e cila aplikohet që nga lindja dhe vazhdon sipas skemës së rekomanduar, siguron imunitet afatgjatë. Vaksinimi rekomandohet gjithashtu për grupet me rrezik të lartë, si personeli shëndetësor, partnerët seksualë të personave të infektuar dhe përdoruesit e drogës.
Diagnoza bëhet përmes analizave të gjakut që zbulojnë praninë e virusit ose antitrupave të tij. Trajtimi për format akute konsiston kryesisht në kujdes mbështetës, ndërsa format kronike mund të kërkojnë përdorimin e antiviralëve, me monitorim të rregullt të funksionit të mëlçisë.