AKTUALITET, 7 Nëntor 2025, 14:34

Ndërtimet/ Koçiu paralajmëron: Ndjekje penale, prishje objektesh dhe gjoba të rënda për shkelësit e ligjit

Ndërtimet/ Koçiu paralajmëron: Ndjekje penale, prishje

“Ndjekje penale, prishje të ndërtimeve pa leje dhe gjoba të rënda” ka paralajmëruar Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, për ndërtuesit që shkelin ligjin duke zaptuar hapësira e troje për të cilat nuk kanë leje apo të drejtë.

Ajo theksoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se do të ndëshkohen edhe zyrtarët që nuk përmbushin detyrën dhe lejojnë abuzuesit me territorin të ndërtojnë në kapërcim të lejes së dhënë.

Gjatë një daljeje mediatike, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, theksoi se “kontrollet kanë treguar se abuzimet me territorin nuk janë vetëm çështje individësh që ndërtojnë pa leje, por shpesh lidhen edhe me mos përmbushje të detyrës nga ana e punonjësve publikë. Askush nuk do të mbrohet nga pozicioni që mban, kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Prandaj, masat po shtrihen në çdo nivel përgjegjësie. Dua të theksoj qartë: ligji është i barabartë për të gjithë dhe zbatimi i tij është një garanci për zhvillim të drejtë dhe të qëndrueshëm.”

Duke folur mbi operacionin e përbashkët të IKMT e Policisë së Shtetit, Koçiu bëri me dije se “vijojmë me operacionin për vendosjen e ligjshmërisë mbi territor, si pjesë e një procesi të gjerë që po zbatohet në të gjithë vendin. Në këtë proces, ndërtuesit duhet të jenë të parët që tregojnë kujdes. Shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë nga ajo që është lejuar do të penalizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme. Të gjitha këto masa po zbatohen mbi bazën e paketës ligjore të miratuar në fillim të muajit tetor, e cila ka forcuar më tej mekanizmat e kontrollit të territorit dhe sanksionet ndaj çdo shkeljeje. Mbrojtja e territorit është angazhim kombëtar dhe nuk ka kthim pas. Ashtu si dhe rruga jonë europiane, që nuk mund të përshkohet me zaptime, gardhe apo ndërtime abuzive, por me rregull dhe respekt për hapësirën publike, si një e mirë e përbashkët për të gjithë.”

Në fund, Koçiu bën një apel për shtetasit që të verifikojnë ligjshmërinë pronave të blera, e të mos bien pre e abuzuesve.

“Në të njëjtën kohë, u bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të jenë të kujdesshëm kur blejnë një pronë, të verifikojnë dokumentacionin dhe statusin ligjor të objektit, duke shmangur kështu çdo mashtrim apo abuzim,” nënvizoi ministrja Koçiu.