TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Ka luftë edhe aty ku duket se ka paqe. Në një mënyrë apo tjetër, e gjithë bota është në betejë, një luftë që ka shumë fytyra dhe forma shfaqjeje. Ashtu si gjatë viteve të pandemisë, askush nuk është imun ndaj frikës, tmerrit, humbjes apo disfatës“, kështu e nisi fjalën e saj sot, 24 gusht, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Për Kryetaren e Kuvendit, “liria dhe pavarësia e asnjë vendi nuk janë të mirëqena” pasi “ato mund të kërcënohen nga shumë faktorë.”
“Armiqësia me paqen është fataliteti i botës njerëzore,” tha Spiropali.
“Në 24 gusht 1991, Parlamenti i Ukrainës riktheu pavarësinë e vendit. Për tre dekada, Ukraina ka përjetuar një tranzicion të gjatë, një liri që shfaqej edhe me fytyrën e pasigurisë dhe sfidave, me ecje përpara, por edhe me fraktura. Por asgjë nuk mund të barazohet me agresionin e nisur në 2014 dhe sidomos në shkurt 2022, kur një ish-perandori synoi të rivendoste autoritetin e saj mbi një vend të lirë, duke shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe krizë globale”, shtoi ajo.
Theksoi se Shqipëria ka qëndruar e palëkundur në mbështetje të Ukrainës që nga dita e parë.
“Shqipëria ka qenë e vendosur për sanksionet ndaj Rusisë dhe ka ofruar mbështetje ekonomike e ushtarake për Ukrainën. Duke mbrojtur Ukrainën, mbrojmë demokracitë e vendeve tona”, përfundoi ajo.