AKTUALITET, 4 Mars 2022, 14:57

Shpërthimi në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, ministria e Jashtme ukrainase raporton për viktima dhe të plagosur

Shpërthimi në centralin bërthamor të Zaporizhzhias,

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës raporton për viktima dhe të plagosur nga shpërthimi që ndodhi në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes,  por pa deklaruar një numër të saktë.

Ministria thekson se punonjësit në terren po monitorojnë uzinën për t’u siguruar që po funksionon në mënyrë të sigurt, si dhe informojnë se nivelet e rrezatimit janë aktualisht normale.

Por nëse procesi i ftohjes së karburantit bërthamor brenda njësive të energjisë është prekur, mund të ketë dëmtime radioaktive në shkallë të gjerë.

“Mijëra njerëz, që aktualisht nuk janë në gjendje të evakuohen nga zona pranë uzinës, për shkak të bombardimeve dhe luftimeve të vazhdueshme, do të lëndoheshin”, thuhet në deklaratë.

Në përputhje me reagimin e presidentit ukrainas, ministria thotë se një fatkeqësi bërthamore në Zaporizhzhia mund të jetë më e rëndë se aksidentet e mëparshme në centralet bërthamore – si në Çernobil dhe Fukushima .

“Rusia me vetëdije ka ndërmarrë një sulm të armatosur në sheshin e energjisë bërthamore, një veprim që shkeli të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare brenda”, shtohet në deklaratë.