AKTUALITET, 29 Gusht 2024, 08:35

Shkodër, shpërthim me tritol në një agjenci funerale

Shkodër, shpërthim me tritol në një agjenci funerale

Një sasi eksplozivi shpërtheu mëngjesin e së enjtes në qytetin e Shkodrës.

Objektivi ishte një agjenci funerale e cila sapo ishte hapur, teksa nuk u regjistruan të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Lënda plasëse ishte vendosur në derën e këtij subjekti. Shpërthimi sipas policisë vendore u dëgjua rreth orës 03:20, kurse agjencia është në pronësi të shtetases me iniciale F.F., e cila gjithashtu po merret në pyetje për dyshimet që ka.

Persona të paidentifikuar dyshohet se janë afruar të maskuar duke vendosur tritolin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Pista e parë e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, teksa Policia ndodhet në vendngjarje për shoqërime, mbledhje provash dhe dëshmish, si dhe ndjekjen dhe kapjen e autorëve të krimit. Hetimet po ndiqen nga prokuroria e Shkodrës.

Informacion paraprak

Rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”, në derën e një agjensie funerale në pronësi të shtetases F. F., është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse.

Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.