AKTUALITET, 11 Nëntor 2023, 17:02

Shokët e ekipit shpërthejnë në lot, trupi i Dwamenas niset drejt Tiranës

Shokët e ekipit shpërthejnë në lot, trupi i Dwamenas niset

Trupi i pajetë i futbollistit të Egnatias, Raphael Dwamena, është nxjerrë nga spitali i kavajës dhe po transportohet drejt morgut të Tiranës. Dwamena, ndërroi jetë këtë të shtunë pasi një sulm në zemër në minutën ’24, gjatë ndeshjes së Superligës Egnatia-Partizani.

Edhe pse iu dha ndihma e parë në fushën e blertë, futbollisti 28-vjeçar, kapiten i Egnatias ndërroi jetë rrugës për në spital. Prokuroria bëri me dije nisjen e një hetimi në lidhje me rastin dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Megjithatë kjo nuk ishte hera e parë që futbollisti shfaqte probleme me zemrën.

Problemet e tij kardiake u evidentuan nga mjekët në Angli, kur ai kreu seancat mjekësore për t’u bërë pjesë e ekipit të Brighton në vitin 2017. Por ai vazhdoi karrierën si futbollist në Austri duke montuar një defibrilator në zemër. Në një intervistë të dhënë për gazetën zvicerane “NZZ” (“Neue Zurher Zeitung”) pak kohë më parë, ai konfirmoi se defibrilatori që iu implantua, ishte vënë dy herë në punë.

Një herë kur ishte te Saragoza në Spanjë dhe një herë te Linz në futbollin austriak. Në të dyja rastet ai pësoi kolaps, gjë që çoi në kërkesën që të braktiste idetë e tij për të vazhduar në futbollin profesionist. Por, sulmuesi i shpërfilli kërkesat që të hiqte dorë nga loja në fushën e blertë, duke rezultuar në një fund tragjik për të.