AKTUALITET, 23 Dhjetor 2022, 14:52

Dorëhiqet drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo

Dorëhiqet drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon

Dorëhiqet nga detyra drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Lirimi i tij ka ardhur pas dhënies së dorëheqjes te kryeministri Edi Rama. Ndërsa Presidenti Bajram Begaj e ka dekretuar lirimin e Bendos nga posti.

Bendo ishte emëruar në detyrën e Drejtorit të SHISH me dekretin e Presidentit të Republikës (Ilir Meta), datë 05.11.2018.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjes nga detyra i drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Rama njofton se Bendo “do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”.

“Me HELIDON BENDON, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, shkroi Rama.

Dorëhiqet drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Helidon Bendo.

DEKRETI
Presidenti Begaj dekreton lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Zotit Helidon Bendo

DE K R E T

PËR LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV KOMBËTAR

Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit,

D E K R E T O J:

Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar.

Dekret nr. 13887

Tiranë, më 23.12.2022 BAJRAM BEGAJ

Zëvendësimi me këshilltarin e Ramës

Më 31 gusht 2022 qeveria vendosi që të zëvendësojë Bendon, që ishte me specializim një vjeçar në SHBA, duke emëruar nëndrejtorin e ri, Oljan Kanushi, që kishte punuar si këshilltar i Ramës në kryeministri. Sipas ministrit Bledi Çuçi ishte bërë plotësimi i një vakance që sipas tij kishte mbetur peng i një konflikti me institucionin e Presidentit.

“Nuk kemi ndryshuar kreun e ri të SHISH, kemi emëruar nën drejtorin e SHISH Oljan Kanushi është bërë plotësimi i një vakance të mbetur peng për shkak të konfliktit mes presidentit dhe SHISH me një vakancë  që u plotësua sot”-shprehej ministri i Brendshëm.

Më 16 dhjetor ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk lejonte kreun e SHISH, Helidon Bendo, të shkonte në zyrë, pasi e konsideronte spiun të amerikanëve.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se shefi i qeverisë ka vendosur në krye të institucionit një militant të Partisë Socialiste, të cilit i kanë dhënë urdhër të mos bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe të mos mbledhë informacion për ministrat e qeverisë.

"Spiunimi" i kryespiunit

Bendo, si shumica e zyrtarëve të lartë, ishte viktimë e hakerave iranianë. Më 19 tetor 2022 ata publikuan hyrje-daljet e Bendos në pika të ndryshme kufitare, të dhëna këto që i përmban sistemi TIMS. Gjithashtu kishte edhe të dhëna personale të tij, emrat e familjarëve, numra telefoni, numri i ID, adresa e shtëpisë, të dhënat e pasaportës dhe automjetet që ka në përdorim si dhe fotografi të Bendos ndër vite.

Më 14 nëntor 2022 ata publikuan emailet e tij, mes të cilave gjendeshin edhe informacione konfidenciale, si emra agjentësh, emra të personave për të cilët SHISH ka kërkuar informacion nga institucione të tjera, dokumenta personale të familjarëve të Bendos dhe komunikime me zyrtarë të lartë të administratës.

Në dokumentat e publikuara, ishte edhe lista e kontakteve të Bendos, ku gjendeshin politikanë të lartë, ministra, por edhe oligarkë dhe pronarë mediash. Në dokumentat e publikuara ishin janë detaje mjaft personale të familjarëve të Bendos, si llogaria bankare e bashkëshortes, dokumenta të shkollës së djalit të tij dhe informacione private të familjes, të cilat fatkeqësisht kanë përfunduar në Telegram.

Më parë hakerat publikuan listën e punonjësve të SHISH, mes të cilëve kishte agjentë të zbulimit dhe kundërzbulimit, identiteti i të cilëve është ekspozuar dhe mund t'i rrezikojë ata dhe në disa raste mund t'ju ketë "djegur" karrierën.

Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama e kishin mohuar që hakerat të kenë marrë informacione sensitive, por publikimet e vazhdueshme tregojnë të kundërtën. Sulmi duket se ka përmasa katastrofale dhe ka ekspozuar të dhënat e miliona shqiptarëve, të administratës dhe shërbimit informativ.