AKTUALITET, 23 Dhjetor 2022, 11:51

Akuzohet për prishjen e barazisë në tendera, Sonila Qato paraqitet në GJKKO

Akuzohet për prishjen e barazisë në tendera, Sonila Qato

Sonila Qato është paraqitur këtë të premte në Gjykatën e Posaçme, GJKKO, për seancën paraprake të gjykimit.

Sonila Qato dyshohet se ka ndikuar në prishjen e barazisë në tender lidhje me aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, ndërsa vetëm pak javë më parë 10 persona u morën nën hetim nga SPAK, mes tyre ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nën akuzë nga SPAK është vendosur dhe motra e drejtoreshës së IKMT, Dallëndyshe Bicit, Elona Goga, kjo e fundit ka qene drejtoreshë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘shkeljes së barazisë në tendera’, “falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 milionë euro.

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet. Të pandehur janë Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari dhe Almir Hoxhaj. Ndërkohë nën hetim janë edhe Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Admir Pahumi.