TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Po mbahet sot, 11 shkurt, eventi “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”. Po prezantohen 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe, për të moshuarit, për gra dhe vajza viktima të dhunës, si dhe për fëmijë pa kujdes prindëror.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se në dekadën e fundit “ka pasur një transformim rrënjësor të sistemit të mbështetjes dhe shërbimeve sociale”.
Më tej, u ndal te një “mal borxhesh” që sipas tij gjeti qeveria e të cilat duhet t’i shlyente. Megjithatë, paralelisht me këtë, kreu i qeverisë shtoi se “u desh një punë e madhe dhe risia vendimtare e procesit ishte shtrirja në nivel vendor”.
“Është rritur 6 herë buxheti nga momenti kur nisëm këtë përpjekje, është 17% më i lartë këtë vit se vitin e shkuar. Por buxheti nuk i thotë të gjitha, për këtë arsye duhet që këtë proces ta thellojmë, ta bëjmë më të konsoliduar dhe ndërkohë të rrisim cilësinë e jetës nën strehën e kujdesit shoqëror”, tha kryeministri.
Më tej, u shpreh se asgjë nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Komisionit Europian dhe se procesi i negociatave me BE-në në tërësi ka ndihmuar shumë për rritjen e nivelit të cilësisë në çdo sektor.
Rama: Përpjekja nisi në kushtet tejet të vështira me një borxh të akumuluar prej dhjetëra miliona eurosh ndaj personave me aftësi ndryshe dhe ndaj familjeve me ndihmë ekonomike. Ishte një borxh i madh në malin e borxheve të trashëguara që u desh adresuara më shumë përpjekje, reforma dhe më masa këmbëngulëse. Risia ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivel vendor dhe përfshirja e pushtetit vendor në mënyrë aktive gjë që është në hapat e ara, por që tani na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë. Çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe shifrave që janë inkurajuese se që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është shumë domethënëse.
Nga ana tjetër, bazuar dhe në mënyrë sesi funksion shoqëria shqiptare, që nuk është akoma tërësisht e perëndimorizuar në pikën që njeriu nuk i thotë mirëmëngjes njeriut dhe pse jetojnë përballë, është e rëndësishme që me bashkitë të shtyjmë përfshirjen e familjeve në këtë sistem të përkujdesjes sociale. Këtu duhen gjetur mekanizmat e financimi me pushtetin vendor, kryetarët e bashkisë janë aktorët kryesorë për të arritur të përcjellin sensin e kësaj qasje dhe të bëjnë punën e nevojshme bindëse.
Buxheti është domethënë, është rritur 6 herë nga momenti që ne kemi nisur këtë përpjekje. Është 17% më i lartë këtë viti sesa vitin e shkuar, por buxheti nuk është i gjithi dhe as nuk i zgjidh dot të gjitha. Na duhet ta thellojmë këtë proces dhe të rrisim dhe cilësinë e jetës nën strehët e kujdesit shoqëror. Ne kemi nisur një proces në Tiranë me transformimin e kushteve për jetimoren e famshme Zyber Allulli. Kjo nuk do të ndodhte pa mbështetjen e Komisionit Evropian.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se mbështetja për projekte të kësaj natyre është shumë e madhe, sidomos në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera në rajon.
“Ky fond që ka 7 vite që funksionon ka financuar më shumë se 70 projekte e shërbime dhe BE ka qenë partner i vazhdueshëm. Dua të theksoj se mbështetja e Bashkimit Europian për mbrojtjen sociale është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
“Ne po investojmë më shumë se 100 milion euro nëpërmjet projekteve, për punësimin dhe gjithëpërfshirjen sociale. Këto plotësohen më tej edhe me Planin e Rritjes. Por shifrat nuk ndryshojnë jetë, është puna në terren që e arrin këtë gjë”, shtoi ai, duke nënvizuar mbështetjen sociale në nivel komunitar.
Gonzato: Mirëqenia sociale është vetë forca e një kombi. BE-ja ka një traditë të gjatë dhe jemi krenarë për investimin në kapitalin njerëzor. Fondi Social Evropian është po aq i vjetër sa vetë BE-ja dhe unë kam punuar për të. Ai është i përqendruar tek ata që janë më shumë në rrezik për t’u përjashtuar nga shoqëria.
Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale në Shqipëri ka për qëllim të trajtojë varfërinë dhe cenueshmërinë. Fondi Social i Shqipërisë, që ka 7 vite që funksionon, ka financuar më shumë se 70 projekte dhe shërbime. Mbështetja e BE-së për mbrojtjen sociale në Shqipëri është nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar.
Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Shqipëria mund të frymëzohet nga debatet që zhvillohen në BE. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes.