AKTUALITET, 5 Shtator 2022, 12:50

Sesion i ri, avaz i vjetër/ Enkelejd Alibeaj vijon të sillet si drejtues i PD-së, i cakton partisë prioritetet

Sesion i ri, avaz i vjetër/ Enkelejd Alibeaj vijon të sillet si
Enkelejd Alibeaj

Shtatori nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në pozicionimin e palëve në Partinë Demokratike. 

Enkelejd Alibeaj, deputet i kësaj partie, vijon të sillet si drejtues i saj dhe ka prezantuar "objektivat" e grupit të PD, në sesionin e ri parlamentar, pa marrë aspak parasysh pjesën tjetër të partisë, që është shumica dhe drejtohet nga Sali Berisha. 

Alibeaj prezantoi tre objektivat që ka caktuar vetë, konkretisht reforma zgjedhore dhe territoriale, dekomunistizimi i shoqërisë dhe reforma për anti-korrupsionin dhe luftën ndaj krimit të organizuar. 

"Grupi Alibeaj" përbëhet nga një numër i vogël deputetësh, por jo i papërfillshëm, veçanërisht nëse ata do të bashkojnë votat me mazhorancën për nisma të caktuara legjislative, që synojnë të godasin Berishën dhe Metën. 

"Ato që u deklaruan sot ishin prioritetet parlamentare, unë nuk dua asnjëherë të ngelem pas me të shkuarën, çoroditja e opozitës e ka bërë të lehtë Ramës të bëjë përshesh, sot duhet të kalojmë në akte e veprime konkrete, ajo që na bën bashkë janë këto cështje e prioritete, si reforma legjislative dhe kontrolli parlamentar, aksioni politik ai që na bën bashkë", tha ndër të tjera Alibeaj. 

I pyetur se çfarë po ndodh me gjyqin në apel për drejtimin e Partisë Demokratike, Alibeaj tha se nuk ka ndonjë informacion dhe mbetet në pritje të vendimit të gjykatës.