AKTUALITET, 3 Janar 2024, 13:51

“Së shpejti, tre linjat e para të autobusëve të shpejtë”, Kuko: Ja ku do të fokusohet buxheti 2024

“Së shpejti, tre linjat e para të autobusëve të

Kryetarja e Këshillit Bashkiak për Tiranën, Romina Kuko, në një intervistë për “Tirana Live”, foli për buxhetin 2024, për të cilin u shpreh se do të ketë një rritje prej 7 përqind.

Ajo tha se buxheti do të fokusohet në inovacion, ekonomi dhe zhvillimin e qytetit. Kuko shtoi se fokusi do të jetë edhe tek shtimi i banesave sociale.

“Buxheti i vitit 2024 dhe plani për tre vitet e ardhshme do të fokusohet në inovacion, ekonomi dhe zhvillimin e qytetit. Buxheti do të futet në çdo njësi dhe lagje të Tiranës në mënyrë kapilare dhe nuk do të fokusohet vetëm në një aspekt por i shtrirë në mënyrë horizontale për t’ju shërbyer qytetarëve.

Pjesa e infrastrukturës do të vazhdojë. Do të kemi ende shumë punë për të bërë. Kemi shtim të banesave sociale, do të duhet të vazhdojmë të mbështesim pjesën e Tiranës solidare, ku ka familje që e kanë nevojshme për një banesë sociale. Nga ana tjetër, është projekti i ndërtimit të kampusit universitar.

Me zgjerimin e fluksit nga Kolegji i Evropës, do të kemi edhe kampusin. Kemi pjesën e bulevardit të ri me projektet dhe veprat madhore që do të vijojë puna e tyre,“ tha ajo.

Duke u ndalur tek projekti i autobusëve të shpejtë, Kuko shtoi:

“Sa i përket linjave të shpejta të autobusëve, është një projekt shumë i rëndësishëm. Kemi marrë plotfuqishmëri nga presidenti për kredinë me KVV-në, një shumë prej 31 milionë eurosh dhe një pjesë është me grante. Do të kemi tre linjat e para, ajo e Kombinatit, e Unazës së Tiranës dhe e Tiranës së Re. Nga 1 janari do të kemi fillimin e punimeve dhe së shpejti do të ketë autobusët me korsi të shpejta dhë pa ndalesa“.

Ajo u ndal edhe tek projektet në bulevardin e ri, teksa tha se do të jetë një zonë e rëndësishme administrative për qytetin.

“Bulevardi i riplanifikohet të jetë ndërtesa e re e bashkisë, pjesa administrative që të mos jetë e shpërndarë nëpër vende të ndryshme por në një godinë. Do të kemi bibliotekën e re kombëtare, qendrën e panaireve dhe shumë ndërtesa që do të mbulojnë pjesën administrative të qytetit”, u shpreh Kuko.