TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku akuzon kryeministrin Edi Rama për kontroll të plotë mbi sistemin e drejtësisë dhe përdorim të tij në mënyrë të njëanshme e politike.
Sipas Salianjit, Rama bën “sikur shqetësohet” për vendime të drejtësisë, vetëm kur ndonjë gjyqtar i rrallë nuk i bindet plotësisht. “Ndërkohë që pasi e ka kapur sistemin, i përdor dhe sillet me prepotencë, duke i trajtuar institucionet e drejtësisë si lecka,” shkruan ai.
Në reagimin e tij, ish-deputeti thekson se shumica dërrmuese e gjyqtarëve nuk sillen si pushtet i pavarur, por si vartës të qeverisë, duke humbur funksionin e tyre si mekanizëm kontrolli dhe balancimi të pushtetit ekzekutiv, ndërkohë që ngre pyetjen se përse ndërkombëtarët nuk reagojnë për sulmet e Ramës ndaj drejtësisë.
"Edi Rama bën sikur shqetësohet nga drejtësia që kontrollon, kur ndonjë gjyqtar i rrallë nuk i është nënshtruar plotësisht, ndërkohë që pasi e ka kapur sistemin, i përdor dhe sillet me prepotencë duke i trajtuar institucionet e drejtësisë si lecka.
Shumica dërrmuese e gjyqësorit sillen si vartës të qeverisë, jo si pushtet i pavarur kontrolli e balance!
Është përgjegjësi e gjyqësorit që ka lejuar qeverinë në batërdinë urbanistike, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin që i ka ushqyer ato. Qeveria i ka lejuar për interesa politike e korruptive dhe sot i përdor politikisht me aksione propagandistike.
Në vend që të kontrollojë pushtetin ekzekutiv, drejtësia ka pranuar të përdoret si armë kundër kundërshtarëve dhe si mburojë për klientelën e qeverisë. Për pasojë, ajo degradohet publikisht nga kryeministri dhe ka frikë dhe ti reagojë.
Ky është portreti më i qartë i kapjes së shtetit dhe shkatërrimit të pavarësisë së institucioneve.
Qytetarët shqiptarë dhe opinioni publik kane pritur reagimin e partnerëve ndërkombëtarë që kanë investuar për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë: a do të ketë një reagim të fortë kur Rama i godet, i poshtëron dhe i minon institucionet e drejtësisë? Apo standardet e reagimet vlejnë vetëm kur opozita denoncon abuzimet?", shkruan Salianji.