AKTUALITET, 2 Shtator 2025, 11:57

Sali Berisha merr pjesë në homazhet për ikonën e kinematografisë, Dhimitër Anagnosti

Sali Berisha merr pjesë në homazhet për ikonën e

Kreu i PD-së, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, ka marrë pjesë në homazhet për ikonën e kinematografisë Dhimitër Anagnosti.

Ish-kryeministri ka lënë një shënim në kujtim të regjisorit të ndjerë, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Berisha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar atë “një kolos të gjenisë krijuese artistike dhe një personalitet të rrallë”.

Berisha theksoi se Anagnosti, përveçse një regjisor, skenarist dhe shkrimtar i shquar, luajti një rol të rëndësishëm në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike në vitet ’90, ku shërbeu si deputet dhe ministër i Kulturës.

“Do të mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit,” u shpreh Berisha, duke përcjellë ngushëllimet e tij për bashkëshorten Roza Anagnosti, familjen dhe artdashësit.

"Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit.
Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve.
Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij.
Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.
Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.
Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta"- tha Berisha.

Sali Berisha merr pjesë në homazhet për ikonën e

Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në orën 13:00. Më pas arkëmorti me trupin e të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit, në vendlindjen e tij në Vuno të Himarës.

Këshilli i Ministrave e ka shpallur ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.