AKTUALITET, 2 Shtator 2025, 09:13

"Shitblerja e votës, patronazhistët dhe ndikimi i grupeve kriminale", PD ankimon në Kolegj zgjedhjet e 11 majit: Kërkojmë rrëzimin e vendimit të KQZ

"Shitblerja e votës, patronazhistët dhe ndikimi i grupeve

Partia Demokratike depozitoi dje në Kolegjin Zgjedhor padinë që kishte paralajmëruar se do të dorëzonte kundër vendimit të Komisionit Rregullator, që certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Në kërkesën e partisë më të madhe të opozitës pretendohet se gjatë zgjedhjeve janë vënë re fenomene të shpërdorimit të burimeve publike, intimidim të votuesve, patronazhim politik dhe ndërhyrje të grupeve kriminale në qarqet Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.

Sipas PD-së, rezultati i zgjedhjeve nuk ishte legjitim, pasi procesi i 11 majit nuk i ka përmbushur standardet kushtetuese e ligjore; procesi nuk ka qenë i lirë dhe i ndershëm dhe për pasojë, nuk mund të prodhojë asnjë rezultat legjitim. Në padi, e cila mban firmën e përfaqësuesit ligjor Franci Nuri, PD-ASHM kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me argumentin se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda ligjore dhe problematika që e bëjnë atë “jo të lirë dhe jo të ndershëm”.

Në dokumentin e paraqitur, opozita rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, u evidentuan gjatë procesit: përdorimi i burimeve publike në fushatë, intimidimi i votuesve, patronazhistët, shpërdorimi i administratës publike, fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale. Në mënyrë të veçantë, PD-ASHM nënvizon se në qarkun Tiranë problematikat kanë qenë më të theksuara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe administratës, por se fenomene të ngjashme janë konstatuar edhe në qarqe të tjera si Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër. “Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë përmbushur standardet kushtetuese dhe ligjore për të qenë të lira, të ndershme dhe të barabarta”, – thuhet në konkluzionet e padisë, ku theksohet gjithashtu se reagimi i institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e rendit ka qenë “i vakët dhe joproporcional me seriozitetin e problematikave të konstatuara”.

PD-ASHM i kërkon Kolegjit Zgjedhor ndryshimin e vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të KQZ-së, duke e konsideruar të pavlefshëm shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare. Kolegji Zgjedhor është instanca më e lartë që mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin, por që mund të rrezikojë dëshirën e socialistëve për të mbledhur Kuvendin në datën 12 shtator. Gjithsesi, data përfundimtare do të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, i cili ka afat deri më 20 shtator për të nxjerrë dekretin. Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese PS me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh, duke vonuar për 4 muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit. Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës. /Panorama