AKTUALITET, 2 Shtator 2025, 11:39

Ilir Meta kërkon lirinë, caktohet seanca e radhës në Apelin e GJKKO-së

Ilir Meta kërkon lirinë, caktohet seanca e radhës në Apelin

Seanca e radhës për shqyrtimin e ankimimit të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të mbahet më 8 shtator në orën 10:00 në Apelin e Posaçëm.

Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Çakrani ka depozituar në GJKKO kërkesë për rrëzimin e vendimit të dhënë nga gjyqtari i çëshjes Erjon Çela, i cili nuk pranoi të zëvëndësonte masën e sigurisë “arrest me burg” me një tjetër masë më të lehtë sigurie.

Vendimin e tij, Çela e argumentoi se Meta për shkak të pozitës së tij në parti, mund të intimidojë dëshmitarët e çështjes nga radhët e PL-së dhe mund të ndikojë në vijimin e hetimeve.

Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Ai u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.