AKTUALITET, 20 Qershor 2022, 12:06

Rrjedhja e të dhënave, gjoba deri në 20 milionë euro për shkelësit, Qeveria ashpërson sanksionet, ende asnjë i dënuar

Rrjedhja e të dhënave, gjoba deri në 20 milionë euro

Pas skandalit të rrjedhjes dhe publikimit të të dhënave personale të qytetarëve, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një iniciativë për të përmirësuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e tyre.

Në projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ata që do shkelin këtë ligj, nëse miratohet, do gjobiten deri në 20 milionë euro ose 4 për qind e xhiros vjetore. Projektligji i hartuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Drejtësisë, është përafrues me legjislacionin dhe për zbatimin e standardeve të BE-së në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në nenin 95 janë të përcaktuara qartë kushtet dhe procedura kur vendoset për masë administrative, duke pasur në konsideratë natyrën, rëndësinë dhe kohëzgjatjen e shkeljes, duke marrë parasysh natyrën, objektin ose qëllimin e përpunimit në fjalë, si dhe numrin e subjekteve të të dhënave të përfshirë dhe nivelin e dëmit të shkaktuar ndaj tyre si karakterin e qëllimshëm ose neglizhent të shkeljes.

Gjoba prej 20 milionë eurosh do të vendoset për kompanitë që nuk respektojnë të drejtat e subjekteve të të dhënave, parimet themelore të përpunimit, kushtet për dhënien e pëlqimit, transferimet e të dhënave personale te një marrës në një vend të tretë ose një organizatë ndërkombëtare, raporton Panorama.

Po ashtu parashikohet një gjobë prej 10 milionë eurosh në rast se “Kontrolluesi reflekton mbi mënyrën e vënies në zbatim të konceptit të privatësisë në projektim të të dhënave personale”.

Ky projektligj nuk sanksionin masa administrative kur përpunimi është i nevojshëm për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit. Ai ndalon përpunimin e të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, besimin fetar ose pikëpamjet filozofike, anëtarësimin në sindikata, përpunimi i të dhënave gjenetike ose të dhënave biometrike me qëllim për të identifikuar në mënyrë unike një person, si dhe i të dhënave në lidhje me shëndetin, jetën ose orientimin seksual të një personi. Ky projektligj mbron parimin themelor, mbrojtja nga përpunimi i paautorizuar ose i paligjshëm dhe humbja, shkatërrimi ose dëmtimi aksidental të të dhënave.

Projektligji parashikon që “Çdo regjistër qendror i gjendjes penale mbahet nën kontrollin ekskluziv të autoritetit zyrtar kompetent”. Ky projektligj prezanton për herë të parë “e drejta për t’u harruar”, e cila mund të konsiderohet si një e drejtë e re e subjektit të të dhënave në kontekstin e zhvillimeve teknologjike.

Kjo e drejtë shërben si një garanci në mjedisin online për subjektin e të dhënave, duke detyruar ofruesit e motorëve të kërkimit të fshijnë me kërkesë të subjektit të të dhënave informacionin në lidhje me të, i cili me kalimin e kohës nuk është më i nevojshëm, por kur gjendet ka një ndikim negativ në reputacionin e tij.

Qëllimi i kësaj të drejte është të eliminojë çdo gjurmë të të dhënave të çdo personi që dëshiron të “harrohet” përgjithmonë nga rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit në internet si “Google” apo platforma të tjera kërkimi. Projektligji shton një kategori të re për të dhënat personale, atë të “orientimit seksual”. “Shtohet kategoria e të dhënave personale “sensitive” me “të dhëna gjenetike”, “të dhëna biometrike”, “të dhëna për orientimin seksual” dhe në të njëjtën kohë paraqitet si kusht thelbësor detyrimi i kontrolluesve dhe përpunuesve për të garantuar masa mbrojtëse të përshtatshme me qëllim përpunimin e ligjshëm të tyre”, thuhet në relacion.

Në relacion thuhet se: “Ligji i shton edhe ndalimin e përpunimit e të dhënave personale për qëllime marketingu të drejtpërdrejtë ku prezantohen rregulla dhe instrumente të reja për mbrojtjen e interesave të subjekteve të të dhënave në kontekstin e ushtrimit të kësaj veprimtarie”. Pavarësisht këtij projektligji, mbetet pa zgjidhje fenomeni i telefonatave të kompanive të ndryshme drejt qytetarëve ku reklamojnë biznesin e tyre.

GJOBA 10 MILIONË EURO

Ku kontrolluesit dhe përpunuesit përmbushin detyrimet e organizmit certifikues dhe detyrimet e organit monitorues.

Kontrolluesi reflekton mbi mënyrën e vënies në zbatim të konceptit të privatësisë në projektim të të dhënave personale.

GJOBA 20 MILIONË EURO

Kur urdhri i Komisinerit nuk zbatohet nga kontrolluesit ose përpunuesit që të zbatojnë
kërkesat e subjektit të të dhënave për ushtrimin e të drejtave të tij.

Kur janë shkelur parimet themelore të përpunimit, përfshirë kushtet për dhënien e pëlqimit.

Kur shkelen të drejtat e subjekteve të të dhënave dhe përpunimi i të dhënave të tij, nuk zhvillohet në formë koncize, transparente, të kuptueshme dhe lehtësisht  të aksesueshme.

Transferimet e të dhënave personale te një marrës në një vend të tretë ose një organizatë ndërkombëtare.

Shkelja e detyrimit për bashkëpunim apo e çdo akti të Komisionerit, moszbatimi i një urdhri, kufizimi të përkohshëm ose përfundimtar të përpunimit, ose, pezullimi të shkëmbimit të të dhënave, i nxjerrë nga Komisioneri.

Kur Komisioneri tërheq vëmendjen për kontrollues ose përpunues kur veprimet e përpunimit kanë shkelur dispozitat e këtij Ligji.