AKTUALITET, 22 Prill 2022, 12:14

Rritja e çmimeve, Berisha: Bordet e qeverisë njësoj si ato në kohërat e diktaturës

Rritja e çmimeve, Berisha: Bordet e qeverisë njësoj si ato

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar heqjen e menjëhershme të bordeve që caktojnë çmimet për produkte të ndryshme, duke i cilësuar ato praktika tipike të diktaturave.

Berisha deklaroi në konferencë për mediat se bordet përligjin spekulimet dhe krijojmë mundësi për abuzime. Ai mori shembullin e vitit 1992 kur çmimi i bukës u rrit me 15-fish, duke theksuar se kjo nuk krijoi asnjë problem për shkak të kompensimit nga qeveria.

“Po shkohet drejt mungesës së ushqimeve në familjet e zakonshme shqiptare, Bordet e krijuara nga qeveria janë forma të vjetra që të kujtojnë kohërat e diktaturave. Nuk mund të ketë bord për rregullimin e çmimit të ushqimeve.

Qeveria ka mundësitë dhe mënyrat kur ajo nuk është frymëzuese e spekulimit, të godasë spekulimin aty ku lind. Qeveria është e detyruar të zbatojë praktika transparente dhe të mbrojë popullatën nga ky agresion i rritjes së çmimeve.

Bordet veç sa përligjin spekulimet dhe krijojnë mundësi për spekulime. Anulimi i bordeve përveç entit të energjisë që është institucion konstant, është kusht për marrjen e masave të cilat janë fare të thjeshta.

Qeveria kompenson një për një rritjen e çmimit të produkteve të shportës. Kjo praktikë është ndjekur në të gjitha kohërat për ata që zbatojnë tregun dhe rregullat e tij.

Rritja me 15-fish e çmimit të bukës në vitin 92 nuk krijoi asnjë problem sepse u kompensua për çdo qindarkë nga qeveria”, deklaroi Berisha.