AKTUALITET, 18 Shtator 2023, 14:55

Rikthehen lojëra e fatit online, Komision i Ligjeve miraton ligjin, çfarë duhet të dini

Rikthehen lojëra e fatit online, Komision i Ligjeve miraton ligjin,

Komisioni i ligjeve ka miratuar me 12 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim rikthimin e lojërave të fatit vetëm online.

Miratimi në komision u bë vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita votoi kundër.

Zëvendës ministrja e Financave, Vasilika Vjero shpjegoi se bastet do të jenë vetëm online nëpërmjet platformave elektronike dhe jo fizikisht. Vjero tha gjatë fjalës së saj se ligji parashikon 10 licenca që do të përzgjidhen nga komisioni i licencimit në përputhje me kriteret përkatëse ndërsa përmendi edhe ndryshimet në nenin për detyrimet tatimore.

Ndryshimet, sipas saj, kanë për qëllim përmirësimin e këtij sektori, për të sjellë risi dhe për të krijuar një kuadër ligjor më të përshtatem licencimin dhe mbikëqyrjen e lojërave të fatit dhe për qëllim final formalizimin. Ajo shtoi se pr/ligjoi është produkt i një punë të gjatë të përfaqësuesve të ministrisë së financave dhe dy dëgjesave me grupe interesi, OJF, shoqata të basteve, federata sportive dhe komunitetin olimpik shqiptar.

Në përmbledhje, ky dokument fokusohet në kategorinë e basteve sportive. Këto baste do të jenë vetëm online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori duke licencuar subjektet që kanë përvojë në ushtrimin e kësaj fushe.

Bastet online do të vendosen në uebsite ose në platforma të dedikuara, të autorizuara dhe të monitoruara nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.

Janë parashikuar kritere të forta për ata operatorë që aplikojnë për licencë. Licencimi do të jetë për një periudhë 10-vjeçare, tarifa e licencimit do të jetë në masën 400 milionë lekë dhe licencimi do të bëhet me konkurs nga një komision licencimi. Do të jetë një numër i kufizuar licencash, vetëm 10”, theksoi Zv.ministrja.

Pagesat nuk do të bëhen me para në dorë në mënyrë të drejtpërdrejtë mes organizatorit dhe lojtarit por do të kalojnë përmes një agjenti financiar të autorizuar.

“Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet. Këto baste që specifikohen se do të jenë vetëm online nuk do të kenë pika fizike por faqe internet, aplikacione dhe infrastrukturën e nevojshme teknologjike që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme.

Organizatori i basteve sportive online nuk duhet të pranoje para në dorë nga lojtarët, por vetëm nëpërmjet Agjenteve Financiar të Autorizuar”.

Drafti parashikon krijimin e një fondi të posaçëm ku të ardhurat që vijnë do të përdoren me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve.

“Ky fond shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës”.

Ligji parashikon edhe kthimin e publicitetit

“Duhet të sqarohet dhe të saktësohet se kur dhe ku do të bëhet publiciteti, në platformat online si dhe në mediat audiovizive.”

Drafti nënvizon gjithashtu se organizatorët e kategorive kazino në hotele me pesë yje do të tatohen në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja si dhe 15% të shumës për publicitetin.

“Organizatorët e kategorive kazino në hotele me pesë yje do të tatohen në masën 25 për qind të të ardhurave bruto nga loja, pra jemi larguar nga koncepti i vëllimit të qarkullimit që ka qenë 12 për qind. Organizatorët e autorizuar për zhvillimin ndaj turneve të lojërave kanë detyrimin që të paguajnë 25 për qind të të ardhurave bruto nga loja për çdo turn të organizuar brenda datës 10 të muajit pasardhës.

Organizatorët e kategorisë baste sportive online, bingo televizive dhe lotaria kombëtare, krahas detyrimit tatimor të parashikuar në ligjin aktual, do të duhet të derdhin dhe për llogari të fondit të posaçëm 15 për qind të shumës së deklaruar për publicitetin.

Tatimi në burim i mbajtur për lojtarët do të mbetet në masën 0 për qind për ata që do të luajnë baste sportive online. Krahas detyrimeve tatimore, organizatorët e lojërave të fatit do të duhet të derdhin brenda datës 31 mars në llogari të fondit të posaçëm shumën 2.5 për qind të të ardhurave bruto nga loja dhe bëhet fjalë për kategoritë kazino, kazino me pesë yje dhe resort kazino dhe shumën 10 për qind për organizatorët e kategorisë lotaria kombëtare dhe 1.5 për qind për kategoritë bingo televizive – nënvizoi Vjero.

Opozita kundër projektligjit të propozuar: i paplotë dhe nuk mund të votohet pa informim

Opozita shprehet se ligji i propozuar është i paplotë, duke nënvizuar mungesën e analizave për subjektet që operojnë në këtë fushë. Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi theksoi se objektivat e paraqitura në draft janë të natyrës pragmatike.

“Meqenëse nuk keni zgjidhje për të kontrolluar dhe mbyllur lojërat e fatit në të zezë, le ti lejojmë lojtarët të luajnë online. A ka nevojë tregu për këtë aktivitet , sa subjekte janë dhe sa të ardhura gjenerojnë. Një problem tjetër është sigurimi i të dhënave personale Projektligji nuk garanton sigurinë e të dhënave të lojtarëve- u shpreh Çupi.