AKTUALITET, 9 Korrik 2026, 10:08

“Reuters”: Mijëra protestues i kërkojnë dorëheqjen çdo ditë, si po e mbron Rama financimin 4 milionë euro për koncertin e Kanye West

“Reuters”: Mijëra protestues i kërkojnë

Vendimi i qeverisë shqiptare për të financuar me 4 milionë euro koncertin e Kanye West në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama është përballur me kritika të shumta publike për këtë shpenzim.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Rama ka mbrojtur vendimin për financimin e koncertit, në një kohë kur në vend vijojnë protestat qytetare dhe kërkesat për dorëheqjen e tij. Sipas Reuters, koncerti i Kanye West, i planifikuar më 11 korrik në periferi të Tiranës, do të zhvillohet në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë aktivitet. Pritet që në koncert të marrin pjesë rreth 25 mijë vizitorë nga rreth 80 vende të botës.

Në një reagim në Facebook, Rama deklaroi se fondi prej 4 milionë eurosh u miratua në momentet e fundit për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Ne akorduam 4 milionë euro në minutën e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përballë mijëra vizitorëve që kishin blerë biletat dhe kishin planifikuar udhëtimin”, citohet të ketë thënë Rama nga Reuters. Kryeministri argumentoi se eventi do të sjellë përfitime ekonomike për vendin, duke deklaruar se koncerti mund të gjenerojë rreth 100 milionë euro të ardhura përmes rezervimeve në hotele, turizmit dhe shërbimeve të tjera.

“Reuters”: Mijëra protestues i kërkojnë


Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Kritikët kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për një koncert privat, ndërsa disa kanë ngritur shqetësime edhe për deklaratat e mëparshme kontroverse të Kanye West, përfshirë lavdërimet ndaj Adolf Hitlerit dhe përdorimin e simboleve naziste, për të cilat artisti është kritikuar gjerësisht.

Reuters kujton se në disa vende europiane Kanye West është përballur me anulime aktivitetesh pas deklaratave të tij publike. Ndërkohë, agjencia ndërkombëtare lidh debatet për koncertin me krizën më të gjerë politike në Shqipëri. Protestat qytetare në Tiranë kanë vijuar prej më shumë se një muaji, fillimisht kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.