TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta e 39-të kundër kryeministrit Edi Rama është zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe ndryshimin e modelit politik që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin.



Tubimi nisi në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit u organizuan për marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me pankarta në duar dhe mesazhe kundër qeverisë, qytetarët u drejtuan drejt selisë së Kryeministrisë, ku u mbajt edhe protesta kryesore e mbrëmjes.



Në pankartat e protestuesve u shfaqën mesazhe të ndryshme kundër qeverisë, ndërsa ndër më të spikaturat ishin: “39 ditë populli flet, pushteti hesht”, “Rama Berisha, dy emra i njëjti mentalitet komunist” dhe “Vetëm burgu e kthjellon”.


Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si “Shqipëri e Re”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, ndërsa qytetarët përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.


Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë mbajtën fjalime disa prej protestuesve dhe aktivistëve.
Një prej protestuesve deklaroi se qytetarët janë më të vendosur se kurrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe se protesta do të vijojë pavarësisht kushteve atmosferike. Ai kritikoi vendimin për përdorimin e fondeve të emergjencave për organizimin e koncertit të Kanye West, duke e cilësuar si një zgjedhje të gabuar përballë problemeve sociale dhe ekonomike të qytetarëve.
Aktivisti Ilir Xhemalaj foli për vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare, pensionistëve dhe të rinjve që largohen nga vendi. Ai tha se fondet publike duhet të përdoren për nevojat e qytetarëve dhe jo për atë që e cilësoi si “fasadë”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Një nxënës i shkollës “Kiço Blushi” mori fjalën përpara protestuesve dhe kërkoi një minutë heshtje në nderim të bashkëmoshatarit të tij, Martin Canit. Ai ngriti shqetësimin për vështirësitë me të cilat përballen disa fëmijë për arsimimin dhe bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Gjatë fjalimeve përpara Kryeministrisë mori fjalën edhe bashkëshortja e Altin Hilës, i cili sipas saj nuk mundi të ishte i pranishëm në protestë për shkak të gjendjes shëndetësore të djalit të tyre. Ajo deklaroi se familja do të vijojë mbështetjen për protestën dhe falënderoi qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit për ndihmën e ofruar.
Në fjalën e saj, ajo kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, duke përcjellë mesazhin e familjes së saj ndaj situatës politike në vend.
Përveç folësve kryesorë, në podium dhe në mesin e protestuesve kanë folur edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre për situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend, duke përsëritur kërkesat e tyre ndaj qeverisë.
Një moment tjetër i komentuar gjatë protestës ishte reagimi i një pensionisti, i cili kritikoi vendimin për alokimin e 4 milionë eurove nga fondi i emergjencave për koncertin e Kanye West. Ai e krahasoi këtë shpenzim me vështirësitë ekonomike të pensionistëve dhe shtresave në nevojë.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit. Mijëra qytetarë u zhvendosën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Organizatorët dhe protestuesit kanë bërë të ditur se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre, përfshirë dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshimet politike që ata kërkojnë.