TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, mori pjesë sot në tryezën e organizuar mbi vlerësimin e arkitekturës institucionale të Prokurorisë së Posaçme, me fokus tek performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e saj. Në fjalën e tij, Dumani theksoi rëndësinë e balancës mes llogaridhënies dhe mbrojtjes së pavarësisë institucionale.
Sipas Dumanit, për prokurorët e posaçëm janë trajtuar nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) plot 61 raste me vendime përfundimtare, çka sipas tij dëshmon se llogaridhënia funksionon, brenda kornizës ligjore. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), duke e cilësuar si një institucion mbështetës për punën e SPAK.
Lidhur me marrëdhëniet me Kuvendin, Dumani theksoi se institucionet kanë pasur komunikim të mirë dhe çdo rekomandim i ardhur nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave është trajtuar me seriozitet dhe është reflektuar në raportet vjetore të SPAK.
Megjithatë, kreu i SPAK nënvizoi se rekomandimet nuk duhet të tejkalojnë kufijtë kushtetues, pasi mund të rrezikojnë pavarësinë institucionale të Prokurorisë së Posaçme.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv vlerësohen, por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë përmes rekomandimeve të njëanshme apo paqarta, rrezikon të zhbalancojë kufijtë mes pushteteve,” deklaroi Dumani.
Ai shtoi se rekomandimet e Kuvendit 'nuk kanë rol detyrues', por duhet të shërbejnë si mbështetje në frymën e ndërtimit të një sistemi më efikas të drejtësisë.
“Vit pas viti është përmirësuar përmbajtja e raporteve të depozituara në KLP, por jemi të hapur dhe mirëpresim komunikim se si të ketë më tepër arritje. Ne përpiqemi t’i përmbahemi parashikimeve ligjore.
Marrëdhënia me ILD është një marrëdhënie institucionale, ka ushtruar tri kontrolle në Prokurorinë e Posaçme ka dalë edhe me tri rekomandime dhe ne si institucion i kemi marrë në konsideratë.
Në dijeni time për prokurorët e posaçëm janë trajtuar nga ILD 61 raste. Sa i takon KLP kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Edhe sa i takon llogaridhënies kemi komunikim ke KLP aq sa ka kompetencë KLP në raport me SPAK”, tha Dumani.
Altin Dumani : Në raportin e SPAK do gjeni edhe shpjegimet si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo të Këshillit të ministrave. Vlerësojmë se rekomandimet do bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura Kushtetuese në mënyrë që të sigurohet një komunikim funksional pa tejkaluar kufijtë Kushtetues.
Duhet të përmend këtu marrëdhënien e mirë që kemi me Kuvendin, para se të finalizohet raporti i vlerësimit për institucionet apo të nxirren rekomandimet, ne kemi një komunikim mes institucioneve tona dhe po të shohësh në vite rekomandimet e Kuvendit, kanë qenë të lidhura ngushtë me SPAK dhe ne më parë jemi përpjekur t’i reflektojmë dhe përmbushim.
Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjeke për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve.
Është thelbësore që të kemi një kuptim të qartë ligjor të natyrës së këtyre rekomandimeve, në thelb ato nuk kanë rol detyrues për SPAK, por orientues, mbështetës në frymën e ndërtimit të një sistemi më efikas të drejtësisë. Vetëm duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën Kushtetuese që i jep kuptim reformës në drejtësi dhe besimit të publikut ndaj saj.