AKTUALITET, 8 Korrik 2025, 09:16

Seanca/ Prej 5 muajsh në qeli, Erion Veliaj kërkoi lirinë: Shqyrtohet sot në Gjykatën e Lartë rekursi i kryebashkiakut të Tiranës

Seanca/ Prej 5 muajsh në qeli, Erion Veliaj kërkoi lirinë:

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u liruar nga qelia. Kujtojmë që kreu i Bashkisë Tiranë u arrestua më 10 shkurt nën akuzat për korrupsion e pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Seanca do të zhvillohet në orën 12:00 në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, me relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe anëtarë Medi Bici e Sokol Binaj.

Në të njëjtën datë do të zhvillohet edhe rekursi i biznesmenit Elman Abule, që ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe akuzohet për pastrim parash në dosjen e Erion Veliajt.

Më 17 qershor, GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg” për Erion Veliajn duke rrëzuar kërkesën e tij për lirim kundrejt garancisë pasurore.

“GJKKO vendosi azhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj me vendimet Nr. 7. datë 09.02.2025 dhe Nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhej në vendim.

Në dosjen e SPAK ka të akuzuar dhe nën hetim edhe familjarë të Veliajt dhe disa biznesmenë.