TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetari Mero Baze, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për rritjen e jashtëzakonshme të vizitorëve në vendin tonë, zhvillimin dhe problematikat e turizmit, si infrastruktura që mungon, problemet e transportit publik dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Baze tha se turizmi në Shqipëri punon për Greqinë, pasi hotelet furnizohen në masë të madhe nga Greqia, për shkak të paralizimit të bujqësisë tonë, duke e bërë turizmin shqiptar, përfitues në masë shumë të vogël, çka nuk përkthehet në një impakt pozitiv më të gjerë të turizmit në ekonomi.
“Shqipërisë i ka ardhur si fat turizmi, ndoshta atëherë kur nuk e priste, por është aq i madh sa na ka gjetur të papërgatitur. Problemi i parë, që shoqëron turizmin, transporti publik. Vijnë në Rinas me 25 euro dhe pastaj paguajnë 50 euro për të vajtur në Tiranë, 150 për të vajtur në Sarandë e me rradhë.
Qeveria duhet të ngrejë një task force për transportin publik, thotë gjithmonë kur mbaron sezoni veror dhe pastaj kur vjen sezoni i ri, thotë do ta bëjmë vitin tjetër.
Duhet të krijojë flota urgjent të transportit publik. Ta rrethojë aeroportin e Rinasit dhe Vlorës dhe portet, me autobuzë që të kenë tabela, për çdo destinacion turistik në çdo orë të ditës, për shkak se të huajt që vijnë në Shqipëri, nuk e kuptojnë dot që këtu është vend pa transport publik dhe duhet të marrësh taxi edhe kur ble bukë. Nuk i shkon në mendje kjo. I vetmi zhvillim pozitiv që ka bërë tregu, është vërshimi i makinave me qira, që janë komplet pa standarde, por mirë e kanë bërë sepse të paktën zgjidhin problemin.
E dyta, fuqia punëtore e Shqipërisë, që nuk ka më, sepse kanë ikur. Po marrin punëtorë nga India, Azerbaixhani, Filipinet, disa punojnë, disa duan të ikin dhe të kthejnë Shqipërinë në tranzit. Kjo është një çështje që operatorët e turizmit duhet të investojnë shumë te fuqia punëtore shqiptare dhe të bëjnë oferta të mira për fuqinë punëtore shqiptare që punon në turizmin grek dhe është më e kualifikuara në rajon dhe punon me paga më të ulëta sesa në Shqipëri.
Ajo që do të na vrasë shumë shpejt, sepse ritmi nuk do të ndalet, është bujqësia. Ne duhet të prodhojmë ushqim për turizmin shqiptar. Çfarë ndodh tani? Hotelet që njoh unë në Sarandë, Ksamil, të gjithë blejnë mishin në Janinë, djathin në Janinë, pijet në Janinë, peshkun në Janinë, gjithçka, për shkak se tregu jonë nuk ka më mish në jug të vendit. Është ajo legjenda që ka mish në jug, por jo. Greqia e ka industrializuar prodhimin e mishit, ka pula pafund, mish pafund dhe i ka të mira, me standard, është më i sigurtë ai sesa mishi jonë në disa raste. Gjithë turizmi jonë punon për ekonominë greke. Marrim ushqimet e tyre dhe turizmi jonë fiton si tregtar dhe jo operator. Paratë thelbësore i merr Greqia, ndërkohë mund ti merrte pjesa tjetër e ekonomisë shqiptare, fshatarët që punojnë tokat. Ushqimin e marrim nga Greqia, punëtorët nga jashtë, atëherë çfarë fitojmë ne? Fitojmë si tregtarë, është një fitim i ulët dhe një shpërdorim shansi për këtë valë të madhe të turizmit shqiptar.
I vetmi turizëm i qëndrueshëm, është turizmi malor dhe i bujtinave, i cili ka bërë një të mirë, sepse ka kapilarizuar ndarjen e të ardhurave nga turizmi, e ka çuar në fshatra të thella, janë turistë cilësor, që duan natyrën. Një burrë dhe një grua në fshat e mbajnë vetë bujtinën dhe është turizmi më i mirë i vogël që ne kemi si model i turizmit të qëndrueshëm. Turizmi i madh është tregtar, nuk kanë faj, janë gjetur papritur përballë këtij boom-i të turizmit por duhet ta korrigjojnë me shpejtësi me prodhime bujqësore. Qeveria duhet të hedhe të gjithë lekët te prodhimi bujqësor, se ato kthehen nga qarkullimi i brendshëm.
Infrastruktura është sfidë e madhe për gjithë këtë turizëm, sepse nga një vend me 1.5 mln banorë gjatë vitit që bëjnë jetë aktive, rritet në miliona dhe nuk është aq kollaj. Ne nuk ecim paralelisht me zhvillimin e vendit. Fjala vjen, mund të jenë 100 mijë metër katrorë leje në bregdetin e jugut, ato 100 mijë metër katrorë ndërtim duhet të shoqërohen me investime në energjitikë dhe në ujë për atë vend, duhet të jenë paralel, pra kur ke dhënë lejen duhet të kenë vajtur. Nuk e di se nuk dua të bëhem pesimist, por zhvillimi i bregdetit nga Palasa deri në Himarë, që mund të hidhen tani 3-4 miliardë euro leje janë dhënë. Nëse ke dhënë 4 miliardë euro leje, duhet ti hedhësh nja 300 mln euro investim në ujë dhe drita, aty ujë nuk ka, po marrin ujin e Tragjasit bëhet edhe aty betejë. Energjinë, kanë ngecur në një marrëveshje me italianët dhe nuk e zgjidhin, ajo ka nevojë shumë urgjente, sepse janë hotele me pesë yje, shumë të shtrenjta, investitorët po hedhin miliona dhe kushtet minimale, duhet të krijohen.
Ka edhe politika të paqarta dhe klienteliste, nga batakçinjtë e vegjël, që keqpërdorin disa nevoja specifike që ka turizmi shqiptar. Janë këto depuratorët për pastrimin e ujërave të zeza përshembull, për lokalet dhe hotelet e jugut të Shqipërisë. Në disa hotspote të jugut ato janë të nevojshme sepse nuk lidhen dot me rrjetin dhe duhet patjetër ta kushtëzosh, por qeveria nuk duhet të synojë… Tani kanë dalë disa batakçinj, kanë kapur dikë nga ministria atje, edhe të vjen njëherë ai me fletëpalosje nga kompania dhe thotë duhet depuratori këtu, mirë mirë i thua ti. Të nesërmen ndërron përparësen dhe vjen si inspektor, thotë atë depuratorin nuk e ke bërë… Pra është kapje shteti aty. Janë 2-3 kompani që kanë importuar nga këto dhe duhet ti shesin. Totalisht paligjshmëri. Për të bërë një depurator, duhet leje ndërtimi, nuk ka kush e jep, duhet energji elektrike e re, nëse detyron 20 mijë biznese buzë detit, të bëjnë depurator, ti nuk ke energji elektrike për ata njëherë, është marrëzi më vete. Është qesharake fakti që të kërkosh, që hoteli duhet të ketë depurator, por pallati ngjitur nuk ka, çfarë kuptimi ka? Urina e pallatit është cilësore dhe ajo e turistëve jo cilësore? Është qesharake.
Qeveria duhet të investojë në depurator të mëdhenj dhe t’ju vendosë biznesit tarifë, kjo ka kuptim sepse krijon infrastrukturë që e shpëton bregdetin nga ndotja, ndërsa kjo që bëjnë janë gjobaxhinj kompani private, që kanë kapur dikë në ministri dhe vendosin gjoba”, tha Baze.
Lidhur me investimet ne jugun e Shqipërisë, Baze tha se ndërtimi i vilave nuk sjell përfitime për turizmin.
“Ndërtimi i vilave në jug të Shqipërisë është e rëndë, duhet të ishte shmangur, duhet shmangur por është bërë ajo masakër. Vilat nuk prodhojnë turizëm, janë si ato ngjitëset plastike që bllokojnë kapilaritetin e turizmit, vilat i marrin 3 mije pasanikë, në mos janë nga Shqipëria janë nga bota dhe për 15 ditë që shkojnë aty, sa zihen me gratë dhe i mbajnë të bllokuara. Kanë filluar ti japin me qira por nuk është fitimprurëse dhe ata që i japin po dështojnë. Vilat janë dhënë për të ndihmuar investitorët për të bërë hotele. Po shite 200 vila e mbaron një hotel. Por duhet të kishte hotele në vend të vilave. Edhe hoteli del me leverdi por do fuqi investuese. Vilat janë gabim por hotelet me pesë yje, mendoj se nuk janë kurrë gabim, sepse është ekonomi ndërvepruese me pjesën tjetër. Hoteli mobilizon një fermë të tërë për ta mbajtur, vila nuk mobilizon asgjë, vetëm supermarketin e lagjes”, tha Baze.
Lidhur me investimin e dhëndrit të Turmp, Jared Kushner, në ishullin e Sazanit për të ndërtuar një resort ultra luksoz, Baze tha se është mjaft pozitive për Shqipërinë nëse ndërtohet.
Biseda:
Ylli Rakipi: Ishulli i Sazanit do ti jepet dhëndrit të Donald Trump për të ndërtuar një resort ultra luksoz. Ç’mendoni për këtë? Zakonisht unë pyes gazetarët, sepse edhe opozita është dakord, po ndërtoi Trumpi, le të na ndërtojë edhe ne thonë, të na murosë aty, jemi dakord…
Mero Baze: Ata e kanë politike, une nuk jam simpatizant i Trump, nuk e duroj dot. Mendoj se investimi, nëse bëhet, është një adresë e jashtëzakonshme për turizmin e Shqipërsië. Paratë nuk është se vijnë te ne, por është e jashtëzakonshme për turizmin
Ylli Rakipi: Shteti shqiptar duhet të paguajë për infrastrukturën 300-400 mln euro...
Mero Baze: Shteti është futur aksioner aty në atë projekt. Praktikisht, emri i dhëndrit të Trump është si reklamë ndërkombëtare, por fondi është saudit, është një nga fondet arabe, ata janë menaxherët e shitjes, por po u bë është një gjë e jashtëzakonshme për standardin e turizmit të Shqipërisë. Kjo nuk ka lidhje me qëndrimin ndaj Trump…