AKTUALITET, 5 Mars 2023, 19:33

Regjistrimi i PD-së në zgjedhjet e 14 majit, zbulohen 2 variantet që po diskutohen në Këshillin Kombëtar

Regjistrimi i PD-së në zgjedhjet e 14 majit, zbulohen 2 variantet
Mledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së

Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi sot Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fokus ishte vendimi se si PD do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit pas vendimit të Gjykatës së Apelit që nuk përcaktoi përfundimisht se kujt do t’i mbetet vula e partisë duke e rikthyer çështjen në shkallë të parë.

Në pjesën e hapur për mediat, Berisha tha se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet pavarësisht se kjo është një nga qëllimet e Edi Ramës. Dy janë variantet që po diskutohen për mënyrën e kandidimit në lokalet e 14 majit.

Varianti i parë që po diskutohet është ai i përsëritjes së skenarit të 6 Marsit 2022. Në ato zgjedhje të pjesshme lokale në vetëm 6 bashki, kandidatët e Berishës garuan nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” së bashku me Partinë e Lirisë që në atë kohë mbante ende emrin LSI.

Varianti i dytë që po diskutohet, por që gëzon mbështetje më të vogël është ai që kandidatët e primareve të dalin si të pavarur dhe të mbështeten nga forcat opozitare. PD ka njoftuar se do të regjistrohet sot në KQZ. Mësohet se shkresën në këtë institucion do ta çojë vetë Sali Berisha.