AKTUALITET, 10 Gusht 2022, 11:18

Refuzoi vaksinën për shkak të besimit fetar, polici shqiptar në SHBA përjashtohet nga detyra

Refuzoi vaksinën për shkak të besimit fetar, polici shqiptar

Një polic shqiptar me banim në Nju Jork ka hapur një gjyq pasi e pushuan nga puna për shkak të besimit fetar.

Marjel Kola po jetonte ëndrrën amerikane. Pasi ndoqi kolegjin në Itali, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 22-vjeçare. Ai iu bashkua Departamentit të Policisë së Nju Jorkut në moshën 33-vjeçare. Ai dhe gruaja e tij kanë shtëpinë e tyre në periferi. Por ëndrra mori fund kur atij iu mohua një përjashtim nga vaksinimi i detyrueshëm për COVID-19.

Kola i përket Kishës Adventiste të Ditës së Shtatë dhe feja e tij e ndalon atë të punojë në “Sabatin Biblik”, që është e premte në perëndim të diellit deri të shtunën në perëndim të diellit. Që në fillim, NYPD pranoi ‘detyrimin’ e tij fetar dhe shqiptari ua shpërbleu. Kola punoi si polic tranziti në Manhattan për katër vjet e gjysmë duke filluar nga viti 2018 dhe ishte “Polici i muajit” në qershor 2021.

Pasi ka jetuar në Shqipëri, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kola flet rrjedhshëm tre gjuhë. Ai ishte i certifikuar nga NYPD në gjuhën shqipe dhe italiane, të cilat departamenti i përdori në favor të tij. Gjatë trazirave në verën e vitit 2020, të gjithë oficerëve të NYPD-së iu kërkua të punonin shtatë ditë në javë. Por Kola i tha shefit të tij se nuk ishte në gjendje ta bënte këtë gjë.

Kola i tha “The Epoch Times” se ai i tha togerit të tij: Unë e vendosa Perëndinë të parën, puna vjen e dyta. E kërkesa sërish iu plotësua.

Në mars 2020, Kola u infektua me COVID-19 dhe ishte pa punë për tre javë. Gjatë asaj periudhe, Kola – i cili është gjithashtu një vegjetarian – përdori ilaçe natyrale që përfshinin dush të nxehtë dhe të ftohtë dhe ngrënie të hudhrës. Kur vaksinimi kundër COVID-19 u bë i detyrueshëm, Kola nuk pranoi ta bënte.

“Unë besoj në Zot dhe kam besim te Zoti. Pse duhet të vendos diçka në trupin tim që nuk i besoj?,”- tha ai, shkruan Diaspora shqiptare.

Kështu ai u pushua më 17 qershor dhe ngriti një padi menjëherë më pas. Kola nuk e ka idenë nëse do të jetë fitimtar kur të ketë ditën në gjyq.

“Është në dorën e sistemit të drejtësisë; është në dorën e Zotit,”- tha ai.