AKTUALITET, 2 Dhjetor 2025, 13:54

Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi: Të trajtohen rekomandimet e ODIHR! Ndoja: Të shtohen ekspertët! Gjiknuri: Nëse biem dakord, e mbyllim që sot

Reforma Zgjedhore/ Bylykbashi: Të trajtohen rekomandimet e ODIHR! Ndoja:

Komisioni për Reformën Zgjedhore u mblodh sot në takimin e radhës për të diskutuar ndryshimet e nevojshme në Kod dhe rekomandimet e dhëna nga raporti i OSBE-ODIHR.

Nuk munguan diskutimet e forta dhe debatet mes palëve në tavolinë. Përfaqësuesit e opozitës u fokusuan tek marrja parasysh e rekomandimeve të ODIHR edhe në të kaluarën, çështja e numrit të ekspertëve dhe problematika e votës së diasporës.

Kurse bashkëkryetari i grupit të mazhorancës deklaroi se nëse binin dakord, mund ta mbyllnin që sot marrëveshjen për reformën Zgjedhore, sepse problem nuk është koha.

“Më 2020 u bënë ndryshime të njëanshme në Reformën Zgjedhore. Vota e diasporës është një problem serioz dhe duhet zgjidhur e diskutuar. Reforma zgjedhore mos të trajtohet me tema të shkëputura dhe të mos kufizohemi vetëm te rekomandimet e aktuale të ODIHR dhe OSBE, por edhe te të kaluarat. Raporti i ODIHR foli për parti shtet”, tha bashkëkryetari i PD në këtë komision, deputeti Oerd Bylykbashi.

Kurse deputeti demokrat Arjan Ndoja vuri theksin te numri i ekspertëve dhe shkurtimi i kohës.

“Kam propozim për shtimin e numrit të ekspertëve nga palët, ata që japin mendime konkrete dhe çështja tjetër është të shkurtojmë kohën”, tha ai mes të tjerash.

Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri ra parimisht dakord me kërkesat e opozitës, por u shpreh se që të shkurtohej koha duhet të gjendej zgjidhja dhe nëse palët bien dakord marrëveshja mund të mbyllet që sot.

Ai tha gjithashtu se nuk ka nevojë për numër të madh ekspertësh sepse thjesht do zgjaste kohën e realizimit të reformës.

“Nëse kemi mundësi ta mbarojmë shpejt, ne nuk jemi kundër, po që sot, pra në janar ta mbyllim. Por kjo nuk është çështje kohe, apo nenesh, por me paaftësinë tonë për të gjetur zgjidhjen dhe dakordësinë. Unë mendoj se shtimi i numrit të ekspertëve nuk e zgjidh çështjen, madje mund të krijojë më shumë zgjatje. Megjithatë për efekt të diskutimeve edhe me bashkëkryetarin vendosëm që nga 4 ta bëjmë në 6 numrin e ekspertëve”, u shpreh deputeti socialist mes të tjerash.

Por Bylykbashi vuri theksin edhe te përdorimi i administratës në zgjedhjet e kaluara:

“Raporti i ODHIR ka dhënë me qartësi çështjen kryesore që përballen në zgjedhjet. Që është shteti në zgjedhje. Shteti që është kthyer në aktor të plotë pra ka pushtuar zgjedhjet. Përdorimi total jo vetëm në burimet e thjeshta materiale. Përdorimi administratës publike qoftë si basen votash dhe si rrjet patronazhimi. ODHIR kësaj radhe ka shkuar dhe me rekomandime. Pra ne i kemi dhënë më shumë kohë. Por kjo duhet të jetë prioritare për debatin që bëjmë ne. Shumica dërmuese e çështjeve lidhet me qeverisjen e përditshme. Nuk mund të kufizohemi vetëm te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. Për sa kohë janë përmendur atje nuk janë ripërsëritur në raportin e fundit. Marrëveshja e 5 qershorit e 2020-ës, prodhoi një amendim total të kodit”.