AKTUALITET, 3 Shkurt 2026, 22:11

Dy punonjës të qarkullimit rrugor në Fier pezullohen nga detyra për shkelje disiplinore

Dy punonjës të qarkullimit rrugor në Fier pezullohen nga detyra

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor Sh. Ç. dhe inspektor I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Fier.

Ky pezullim erdhi pas videos së postuar në rrjetet sociale ku duken dy punonjës të qarkullimit rrugor, njëri prej të cilëve dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtuesi i automjetit për të shmangur masën administrative.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, dy inspektorët u pezulluan për shkelje disiplinore të parashikuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Pezullimi disiplinor u bë pasi, duke qenë në shërbim, kanë kryer veprime në shkelje të procedurave standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, si dhe dyshohet për kryerje të veprimeve korruptive. Ndaj këtyre punonjësve ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës policie, konkretisht: Inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më datë 01.02.2026; Inspektor E. P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike; Inspektor E. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, pasi më datë 02.02.2026 është arrestuar nga AMP, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia e Shtetit sqaron se për këto raste është bashkëpunuar me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila ka kryer dhe po kryen veprime hetimore e procedurale në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.

Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë cilindo punonjës policie që cenon imazhin e Policisë apo shpërdoron detyrën.