AKTUALITET, 4 Qershor 2022, 10:31

Rama flet për zgjedhjen e kandidatit për President, Bajram Begaj: Ishte një proces jo i lehtë, për një figurë që do të përmbushë kërkesa shumë specifike

Rama flet për zgjedhjen e kandidatit për President, Bajram Begaj:

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të PS për të mbledhur firmat e nevojshme për kandidaturën e Bajram Begajt për president.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Rama se Begaj përmbush kriteret si një njeri normal në krye të shtetit, pas atyre që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve.

“Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë, për shkak se siç e kemi diskutuar bëhet fjalë për të identifikuar një figurë që do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por për të garantuar edhe respektin dhe moscënimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në thashethemnajë. Kështu procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund.

Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfe që u vunë në dispozicion të kryesisë për një diskutim konkret. Na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që përmbush nevojën për një njeri normal.

Për një figurë me profil sa të lartë, aq edhe të paangazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike.

Kjo na bën të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes si forca dominuese që ka përgjegjësinë. Dhe po ashtu na bën të ndihemi mirë me shqiptarë përtej hapësirave të kufizuara”, tha Rama.