AKTUALITET, 8 Nëntor 2022, 12:49

Rama flet për shqiptarët që largohen emigrantë: Do të fillojnë kthimet më shumë se sa ikjet

Rama flet për shqiptarët që largohen emigrantë: Do të

Kryeministri Edi Rama ka komentuar largimet e shqiptarëve si emigrantë në Britani dhe ka paralajmëruar se është drejt fundit trendi që nga vendi më shumë largohen se sa kthehen.

Sipas Ramës, në Shqipëri emigrantët do të kthehen se atje ku janë po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Ndërkohë që duke folur për opozitën dhe akuzat e bëra ndaj qeverisë për këtë çështje, tha “ne jemi unikalë”, ndërsa i cilësoi “llum” politikanët që shajnë vendin në gjuhë të huaj.

Edi Rama: Sot ka mundësi shumë më të mëdha se dje, kush thotë që në Shqipëri nuk ka mundësi nuk thotë të vërtetën. Unë kurrë nuk do i them një të riu që ti nuk duhet ta mendosh që të provosh fatin tënd të kapësh majën e botës, ama kurrë nuk do i them dot që këtu nuk ka mundësi. Ka se po të mos kishte nuk do kishte plot njerëz që kthehen. Nuk janë aq sa ikin, ne jemi akoma në një trend që më shumë ikin se sa kthehen.

Por jam i sigurt që ky trend do fillojë të ndryshojë. Koha e ikjeve më shumë se sa kthimeve po shkon drejt ezaurimit e do të fillojnë kthimet më shumë se sa ikjet dhe për një arsye tjetër se andej po bëhet gjithmonë e më e vështirë të masësh me sy nga larg rrogën , është një gjë të shkosh atje e pastaj me atë rrogën që nga larg duke e llogaritur këtu nga shtëpia jote ku nuk paguan qira se ta kanë ndërtuar prindërit, ajo rroga ndryshon.

Në fund të muajit është më shumë ajo që mbetet atje se sa këtu, por ama nëse këtu ti nuk e shikon thjesht e vetëm te dyert e shtetit të ardhmen por e sheh tek mendja te krahët energjia jote, këtu ti ke shumë më tepër mundësi se sa atje.

I kuptoj shumë mirë ata që duan të hyjnë në institucione shkencore të një niveli të lartë, në skuadra të Champions Lige që duan të bëhen mjekë, ndërsa dikë që paguan 10 mijë paund për të kaluar kanalin e La Manshit ilegalisht e për tu futur në një xhungël të një lloji tjetër i mirëkuptoj por mendoj që ka dhe një rrugë tjetër që ato 10 mijë paund ti punësojë te toka e babës e gjyshit dhe e garantoj që do të fitojë më shumë se sa fiton atje, nëse bëjnë punë të ndershme, jo për ata që futen në rrugën e krimit.

Sa i përket asaj tjetrës unë jam i njëjti, problemi ynë është që ne jemi unikal në një fatkeqësi e një ligësi që është e tmerrshme, që për të nxjerrë kunjat e brendshme e bëjmë copa Shqipërinë në gjuhë të huaj.

Politikanët që nuk e bëjnë krenar vendin kur rrinë me të huajt, që i tremben të vërtetave të kombit të tyre, janë llum, llum në kuptimin më të plotë të fjalës. Nuk i duhen jo vendit por as dreqit. E ti pranosh apo dhe më shumë se kaq, t’ju besoj është njësoj si ti hedhësh sytë e ti mbash sytë para një moçali që vjen erë të keq.