AKTUALITET, 28 Shtator 2025, 14:25

Qëlloi me armë kunatin pasi i dhunoi motrën, arrestohen autori dhe i plagosuri në Tiranë

Qëlloi me armë kunatin pasi i dhunoi motrën, arrestohen autori

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë pasi një konflikt familjar i ndodhur ditën e shtunë në rrugën “Llambi Bonata”, në zonën e Kombinatit, ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe plagosjen e një personi.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka nisur pasi një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Pas kësaj, vëllai i gruas, ka mbërritur i armatosur në banesën e kunatit të tij dhe e ka qëlluar me armë zjarri burrin e motrës, duke e plagosur.

Në njoftim thuhet se 41-vjeçari Misir Trushi ka qëlluar me armë kunatin e tij, shtetasin Genci Mullaymeri, 54 vjeç ndërsa këtë të diel policia i ka arrestuar të dy, si autorin e plagosjes ashtu edhe të plagosurin, ndërsa vijon kërkimi për shtetasin N. S., nip i Misir Trushit, i cili ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes.

Arma e zjarrit u sekuestrua si provë materiale ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasit M. T., 41 vjeç, dhe G. M., 54 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Llambi Bonata”, në banesën e 54-vjeçarit, shtetasi M. T., pas një konflikti të çastit, ka plagosur me armë zjarri kunatin e tij, shtetasin G. M., i cili dyshohet se pak më parë kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Vijon ende puna për kapjen e shtetasit N. S. (nip i shtetasit M. T.), i cili ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale"- njoftoi policia.