TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas përfundimit të kontratës me kompaninë koncesionare pullat fiskale do të nisin të prodhohen brenda marsit 2025 nga shteti. Ministria e Financave ka sqaruar situatën pas shqetësimeve të ngritura nga biznesi që përdor pulla fiskale për mallrat e akcizës. Prodhimi i pullave fiskale deri më datë 31.12.2024 është kryer nga shoqëria koncesionare “SICPA Security Solutions”.
"Me përfundimin e kësaj kontrate, si dhe me qëllim forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale nëpërmjet shoqërive shtetërore, gjatë vitit 2024 u ndërmorën ndryshimet e nevojshme ligjore për ngarkimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, që vetë, ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj, të mund të kryejë prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale.
Për këtë qëllim, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe u nënshkrua një marrëveshje për krijimin e një shoqërie të re, që do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë (SHLV), me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale.
Kjo shoqëri do të zbatojë teknologji moderne dhe procese të avancuara, me mbështetjen edhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit të pullave fiskale. Në maj të vitit të kaluar, qeveria lajmëroi se do të përfundonte koncesionin e pullave fiskale me kompaninë SICPA-s duke e rikthyer shërbimin në pronësi të shtetit.