AKTUALITET, 10 Prill 2023, 22:45

Pse kandidoni me PDIU-në, apo këtë parti gjetët? Rakipi pyet Përnaskën për kandidimin në Tiranë

Pse kandidoni me PDIU-në, apo këtë parti gjetët? Rakipi pyet

Lajla Përnaska, kandidate për kryetare e bashkisë së Tiranës, deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se kërkoi mbështetjen e PDIU-së, sepse është subjekt politik parlamentar, duke qenë se ishte jashtë strukturave të PD-së. 

Përnaska deklaroi se gara e saj është individuale, por ka mbështetjen e PDIU si parti. 

Biseda në studio:  

Ylli Rakipi: Pse ju do të jeni kandidate e PDIU-së, apo këtë parti gjetët?

Lajla Përnaska: Për të hyrë në garën për Tiranën kam bërë analizat e mia me shumë miq dhe dashamirës, me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite. Ju e dini se ne kemi qenë me PD-në dhe kemi mbetur jashtë strukturave. Unë  jam e djathtë, jo militante dhe investimi është shumë i gjerë dhe ka kohë që e kam bërë një analizë paraprake.

Është dhe një fakt tjetër. Sipas ligjit që kemi në fuqi, gara për pushtetin vendor, është e vetmja garë maxhoritare dhe e vetmja që të lejon që të përfshihesh, kurse tjetra, ajo parlamentare është e mbyllur, me 100 çelësa, përveç listës që bën kryetari i partisë. Edhe për të mbledhur firmat për të kandiduar si e pavarur është e pamundur, se është bërë enkas për ta mbajtur mbyllur garën. Ndaj pashë mundësinë e mbështetjes nga një subjekt politik parlamentar dhe gjeta dakordësinë e lidershipit të PDIU-së. Patjetër që jam falënderuese për mbështetjen që më dhanë kryetari Idrizi dhe lidershipi i kësaj partie për të bërë regjistrimin zyrtar dhe për t’u përfshirë brenda kësaj gare.

Gara ime tejkalon këtë lloj bashkëpunimi dhe është një garë individuale ku unë vë të gjithë hipotekën time majft të rëndësishme politike të një rrugëtimi të gjatë politik në spektrin e të djathtës, që lidhet 100 për qind me qarkun dhe qytetin e Tiranës.