AKTUALITET, 10 Prill 2023, 23:21

"Unë do t’ia vija taksën 1000 euro metri katror”, debati Sejamini-Përnaska për kullat në qendër të Tiranës

"Unë do t’ia vija taksën 1000 euro metri katror”,

Analisti Neritan Sejamini replikoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” me kandidaten e PDIU-së për Bashkinë e Tiranës, për betonizimin e kryeqytetit. Ndërsa Përnaska u shpreh kundër ndërtimit të kullave, por pro ndërtimeve në përgjithësi, Sejamini tha se kullat në qendër të Tiranës duhen taksuar shtrenjtë që të bëhen të pabanueshme.

Debati në studio

Sejamini: A je dakord me çfarë është bërë pas Sahatit, në fillim të rrugës së Durrësit, pas hotel Tiranës, te Parku i Liqenit, te Stadiumi “Air Albania”?

Përnaska: Jo, s’jam dakord, s’jam dakord! As me kullat që janë bërë poshtë digës së Liqenit. Fare s’jam dakord, por ne e dimë shumë mirë se si janë bërë shumë prej kullave, me dakordësi nga të dy palët, se nuk ka qenë njëra palë, ose tjetra.

Sejamini: Nëse po flasim për një plan që e ka patur Rama dhe Veliaj është e kotë ta relativizojmë duke thënë se kështu e ka patur edhe opozita. Qendrën e Tiranës e ka shkatërruar z.Rama dhe ka dashur që në vitin 2002 që ta bëjë, siç e bëri sot, me Planin Francez, vetëm kulla, se ashtu e ka vizionin, do të ngrihet në lartësi, të jetë ai, ka ëndrrën që kur të vdesë të thonë brezat se kullat i ka bërë z.Rama që e mori një fshat të vogël... Ai i ka imponuar shijen e vet gjithë qytetit.

Përnaska: Nuk është shija ime, nuk është.

Sejamini:Ky është model klientelist, korruptiv dhe autokratik. Ky është problem politik, jo teknik.

Përnaska: Shumë dakord.

Sejamini: Kontributi që ti mund të japësh në këtë fushatë është që të thuash disa të vërteta që nuk po i thonë të tjerët.

Përnaska: Mua më dhemb prishja e identitetit të Tiranës dhe unë kurrsesi nuk do të pranoj që të vazhdojë e njëjta gjë.

Sejamini: E ka bërë. Ka bërë 50 katëshin pas hotel Tiranës.

Përnaska: Pse ça do bësh ti, do ja shembësh?

Sejamini: Unë do t’ia vija taksën 1000 euro, do t’ia bëja të pabanueshme. Do t’i vija taksën më të lartë në botë. Meqë ti ke ta blesh me 5000 euro metrin katror, unë po të vë një taksë 1000 euro në vit për metër katror. Ky është një model që qëndron për shkak të parave të krimit. Po të mos kishte pare krimi, ato kulla nuk do të ishin ndërtuar, sepse krimi financion dhe krimi e blen.