AKTUALITET, 11 Tetor 2022, 11:32

PS i mbyll sërish derën opozitës për territorialen: Për momentin, të ruhen 61 bashki

PS i mbyll sërish derën opozitës për territorialen: Për

Abc thotë se ka siguruar pjesë nga raporti i ekspertëve të Partisë Socialiste në lidhje me refuzimin e kërkesës së opozitës për shtim të numrit të bashkive në vend.

Një ndër arsyet është mungesa e kohës së mjaftueshme për ndjekjen e të gjitha procedurave të parashikuara nga ligji për vendimmarrje për rishikim të ndarjes territoriale si dhe afrimi i zgjedhjeve vendore të pranverës së vitit 2023.

“Për momentin të ruhen 61 bashki, për më tutje të bëhet një studim i plotë. Nuk ka kohë tani për ndërhyrje, në vijim mund të shkrijmë apo coptojmë bashki”, thuhet në raport.


Në raport thuhet se ekspertët e PS rekomandojnë:

1.Vazhdimin e përpjekjve të përbashkëta të të gjithë aktorëve qëndrorë dhe lokalë, vendas dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për konsolidimin e 61 NJVQV aktuale drejt krijimit të bashkive që realizojnë veprimtarinë e tyre bazuar në Parimet e Qeverisjes së Hapur, në parimin e Vetëqeverisjes Autonome qëvepronë në interes të komuniteteve që përfaqësojnë, që mbështesin zhvillimin ekonomik vendor dhe ofrojnë shërbime cilësore për komunitetin.

2. Qartësimi i funksioneve dhe kompetencave të Këshillave të Qarqeve si njësi vendore të nivelit të dytë me rol të veçante në zhvillimin rajonal si dhe garantimi i mbështetjes së nevojshme për 12 Këshillat e Qarqeve për ushtrimin efektiv të veprimtarisë së tyre në mbështetje të 61 NJVQV dhe të Qeverisë Qëndrore po ashtu.

3. Konsultimin me komunitetet vendore, me të zgjedhurit dhe drejtuesit vendorë si dhe me ekspertë dhe OSHC të gjetjeve dhe nevojave për përmirësim të legjislacionit dhe propozimin e tyre për t’u përfshirë në Strategjinë Ndërsektoriale për Decentralizim dhe Vetëqeverisje Vendore 2023-2030.

4. Trajtimin rast pas rasti nga ana e Qeverisë dhe e Kuvendit e kërkesave të veçanta për rishikim kufijsh ndërmjet fshatrave, për përkatësinë e fshatrave apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për territore dhe cështje pronësie ndërmjet NJVQV.

5. Sigurimin e mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë për realizimin e një studimi të plotë dhe të pavarur të efekteve të Reformës Territoriale brenda një periudhe 3-5 vjecare me qëllim marrjen në konsideratë të gjetjeve dhe rekomandimeve për përmirësime të mundëshme të ndarjes territoriale në të ardhmen.

PS në fillim ishte kundër ndryshimit të hartës, pastaj rihapi bisedimet, por dera u mbyll prapë sot. Reforma territoriale e vitit 2014 u miratua në Kuvend vetëm nga shumica e majtë pasi PD në opozitë e bojkotoi seancën parlamentare. Të djathtët e kundërshtuan ndarjen e re territoriale me argumentin se nuk i shërbente decentralizimit të pushtetit vendor, afrimit të shërbimeve tek qytetarët dhe se sipas tyre fshihte qëllime elektorale.