TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sot para Gjykatës Penale të Tiranës, ku u mbajt masa e sigurisë për 21 protestuesit e arrestuar gjatë tubimit te Kuvendi.
Me parulla dhe thirrje, duke sfiduar edhe temperaturat e larta, ata kërkuan lirimin e të ndaluarve, duke u shprehur se nuk ka prova dhe arrestimet janë të paligjshme. Gjithshtu janë ngritur akuza ndaj Policisë për dhunë.
Masat jepen nga gjyqtari i gatshëm Sokol Mara. Mësohet se ato jepen në grup për të gjithë dhe seanca zhvillohet me dyer të mbyllura.
Një prej protestuesve, Niko Qarkaj, nuk u ndje mirë dhe mori ndihmën e parë, teksa vuan nga epilepsia.
Prokuroria kërkoi 3 masa arresti me burg fillimisht dhe më pas ndryshoi qëndrim për një prej tyre.
Gjykata kërkoi të njihej me provat e organit të akuzës dhe ka marrë dy orë kohë për shqyrtimin e materialeve hetimore.
Avokatët kërkuan lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve për mungesë provash, teksa qindra qytetarë kanë qëndruar në solidaritet para Gjykatës.
Një nga avokatët shpjegoi se prokurori gjatë seancës kërkoi ndryshim të qëndrimit për një nga tre personat, për shkak se ishte familjar dhe kishte fëmijë të mitur, duke e ndryshuar nga arrest në burg, në arrest shtëpie.
Prokuroria ka pretenduar se nga pamjet filmike personat e akuzuar shiheshin teksa ushtonin dhunë dhe dëmtim të mjetit të policisë. Avokatët kërkuan lirimin, duke i cilësuar arrestet të paligjshme.
“Për personin që pati shqetësime shëndetësore është pezulluar masa e sigurisë dhe iu dha ndihma e parë pasi mbërriti ambulanca dhe masa ndaj tij vijoi pas rikthimit”, tha avokati.
Trupa gjykuese pas seancës u tërhoq edhe për vendim.
Një prej thirrjeve ishte edhe “E gjithë Shqipëria është me ju” apo “Çuna, çuna jemi këtu, gjithë Shqipëria është me ju”.
Mes të arrestuarve janë:
Alban Nikolli, Elvis Bici, Altin Hila, Arben Lleshaj, Everes Bardhi, Gentian Progni, Besart Kajmi, Aristotel Elezaj, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Durim Bami, Evis Gjoni, Frrok Bardhi, Elvis Bici, Alban Nikolli, Ervin Gega, Orgito Kaba, Iljon Shala, Kujtim Përvataj, Rezart Pirani, Admir Tërshalla, Romario Dushi.
Ndërsa brenda ambienteve të gjykatës po shqyrtoheshin masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar gjatë përplasjeve të 2 korrikut, jashtë godinës zhvillohej një protestë e fuqishme dhe plot zë.
Turma e grumbulluar ka refuzuar të shpërndahet deri në lirimin e plotë të të shoqëruarve.
Bulevardi para gjykatës ka jehuar nga thirrjet e përbashkëta të qytetarëve, të cilët kanë artikuluar qartë kërkesat e tyre përmes parullave:
“Rama në burg, çunat jashtë! Gjithë Shqipëria këtë ka dasht!”.
Seanca do ishte një e vetme ku do dalin në sallë të gjithë të arrestuarit dhe do jenë prezentë avokatët. Prokuroria ka ngritur akuza për shkatërrim prone, kundërshtim të policisë dhe organizim të paligjshëm të protestave.
Avokatët pretendojnë se nuk ka prova, pasi janë përdorur vetëm vezë dhe miell. Gjithashtu janë ngritur shqetësime dhe denoncime për dhunën policore.
Ky marshim solidarizimi vjen në momentin kur pritet që gjykata të japë masat e sigurisë për të rinjtë e arrestuar gjatë tensioneve të 2 korrikut.
Tubimi vjen si një kundërpërgjigje ndaj përplasjeve të forta që u regjistruan të enjten e kaluar përpara Parlamentit, ku seanca plenare u shoqërua me përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Pas tensioneve që u shtrinë në disa zona të kryeqytetit, policia ndërmori një aksion shoqërimesh dhe arrestimesh, ndërkohë që nga përplasjet mbetën të lënduar si efektivë të policisë, ashtu edhe qytetarë.
Qytetarët e konsiderojnë mbajtjen e të rinjve në qeli si një tentativë të dështuar për të frikësuar revoltën popullore dhe shprehen të vendosur se aksioni i tyre do të përshkallëzohet nëse nuk jepet vendimi për liri absolute.