AKTUALITET, 19 Tetor 2022, 11:01

Protesta/ Profesori: Një pastrues në FSHZH paguhet më shumë se ne, Rama të deklarojë piramidën e pagave

Protesta/ Profesori: Një pastrues në FSHZH paguhet më shumë

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi tha se viti i ri akademik nuk do të rrezikohet teksa ata do të përshkallëzojnë protestat.

“Nuk mendojmë që do rrezikohet viti i ri akademik. Do të përdorim gjithë alternativat e protestave që sa më parë të nise rregullisht viti i ri. Asnjë student nuk do të ketë humbje të orëve. Aktualisht bojkoti është i formës së prerë sa kohë nuk kemi përgjigje, në vijim do t'ju lajmërojmë për larmi të protestave”.

Një nga profesorët në deklaratën për mediat i bëri thirrje kryeministrit që të deklarojë piramidën e pagave të pushtetit qendror.

“Ramës i bëj thirrje të deklarojë piramidën e pagave të gjithë pushtetit qendror se ka pastrues në FSHZH e shumë institucione të tjera që marrin më shumë se sa një pedagog.

Ndaj duhet ta deklarojë piramidën e pagave e aty do të marri vesh gjithë populli ku janë pagat e profesoratit e stafit e administratës në universitetet publike”, u shpreh profesori.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Pedagogëve Ardian Isufi, tha se “7% i akorduar nga qeveria është i qartë që është një kockë se inflacioni është 12 % e nuk quhet shtim page, është indeksim.

Mos merremi me fjalë boshe dhe me lugë bosh t’i themi kryeministrit por të bëjë atë që ka peticioni në radhë të parë 9 pika se nuk është vetëm çështja e pagave dhe të rritet 50 % ne jemi poshtë pagës mesatare të pedagogut në Kosovë e rajon por ka e shumë çështje të tjera është kërkimi shkencor që ndikon direkt në cilësinë e mësimdhënies”.