AKTUALITET, 14 Tetor 2024, 21:11

Protesta e opozitës/ Abilekaj: Qesharake, “mosbindja civile” nisi dhe mbaroi aty. Gjekmarkaj: Po presim reflektimin e kryeministrit

Protesta e opozitës/ Abilekaj: Qesharake, “mosbindja civile”

Opozita protestoi më 7 tetor në të ashtuquajturën “mosbindje civile” e cila nisi dhe mbaroi në ato 3 orë të protetës në rrugët e Tiranës.

Analisti Enton Abilekaj deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv se “mosbindja” nisi dhe mbaroi aty dhe kjo e bën qesharake opozitën. Ndërsa nënkryetari dhe deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, deklaroi se populli iu përgjigj PD dhe po presin që të reflektojë kryeministri.

Pjesë nga biseda

Enton Abilekaj: Nëse do të kishim mosbindje civile që do të niste me protestën dhe do të vijonte me bllokime rrugësh edhe opozita do të shihej me sy tjetër. Por nisi dhe mbaroi aty. Kështu jemi ngatërruar edhe në 2019 kur PD dorëzoi mandatet dhe më pas u kthye dhe bëri marrëveshje me shumicën.

Opozita e nis rrugën radikale, por pendohet dhe nis rrugën institucionale. Nëse opozita nis rrugën radikale dhe pastaj kthehet prapë të bëjë politikë, do të humbasë kredibilitetin. Kjo e bën qesharake.

Agron Gjekmarkaj: Do të jap një version tjetër unë. Opozita ka një vit që është në mosbindje, që është laboratorike. Grupi parlamentar ka një vit që operon kështu duke kundërshtuar represionin ndaj opozitës. Kemi arritur një moment që opozita e thërret popullin dhe ai përgjigjet siç ishte protesta e para pak ditëve. Dhe duhet një pauzë. Është raportuar edhe te kancelaritë ndërkombëtare dhe aleatët e tjerë. Besoj se edhe kryeministri ka nevojë, edhe pse nuk shpreosoj që ai të ulet në bisedë, por qeverisë i duhet një kohë për të reflektuar. Ne duhet t’i japim një kohë.