AKTUALITET, 21 Nëntor 2023, 21:31

“Proces i montuar stalinist”- Vendimet e gjykatës për Berishën dhe Malltezin, ish-kryeministri: Hakmarrje politike e Ramës

“Proces i montuar stalinist”- Vendimet e gjykatës për

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se procesi ndaj tij dhe ndaj dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi është i montuar dhe stalinist.

I ftuar në emisionin “Open” në News 24, Berisha thotë se kjo është një hakmarrje politike e Edi Ramës.  Sipas Berishës në 200 faqe dosje ata nuk kanë gjetur asnjë provë, ndërsa argumentoi se dhëndri i tij pronën e ka marrë në përputhje me ligjin.

“Ky është një proces i montuar stalinist, i rikthyer në praktikën e drejtësisë shqiptare nga Edi Rama, pasi Jamarbër Malltezi u mbajt në burg për fajin e vetëm se nga 1 miliardë e 577 milionë metër katror tokë të kthyer nga viti 2006-2012, ai ka marrë 410 metër katror tokë trashëgimi nga gjyshja e vet. I ka marrë në përputhje me ligjet.

Shqiptarët duhet ta dinë se dje kur ai i ka dhënë përgjigjen e merituar, një ndër njerëzve me të papërgjegjshëm siç është Millonai, ajo i është përgjigjur se vepra e korrupsionit konsumohet edhe duke respektuar ligjin.

Gjykatësja sot nëse do i përmbahej ligjit kishte vetëm një zgjidhje, lirimin e tij të menjëhershme pasi tre vite hetime shteruese, kanë pyetur me dhjetëra pronarë, por Malltezin jo. Kjo është hakmarrje politike.

Në 200 faqe ata nuk kanë gjetur një provë, një fakt një dokument që mund të ngrenë padi penale”, tha Berisha.