AKTUALITET, 7 Dhjetor 2023, 13:32

Privatizimi i “Buka”/ SPAK mbyll hetimet ndaj Arben Ahmetajt, dërgon dosjen në GJKKO

Privatizimi i “Buka”/ SPAK mbyll hetimet ndaj Arben Ahmetajt,

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj, në lidhje me akuzat tek ish-shoqëria aksionere “Buka Sha”.

Ish-ministri i Financave akuzohet për shpërdorim detyre në procedimin penal që njihet si dosja “Buka” – privatizimi i ish-fabrikës së Bukës, ku tashmë ndodhet kompleksi ‘Emerald’ tek rruga “5 Maji” në Tiranë, në zonën e “Medresesë”.

Në lidhje me vendimin, avokatët e ish-ministrit kanë 10 ditë kohë për të çuar pretendimet e tyre.

Një procedurë që dyshohet të jetë kryer në mënyrë jo ligjore dhe vlerësohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekë të vjetra.

Ish-numri dy i qeverisë së Edi Ramës gjatë gjysmës së mandatit të tretë të Edi Ramës aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në një procedim penal i nisur si pjesë e dosjes së “Inceneratorëve”.