AKTUALITET, 4 Maj 2022, 10:27

Prindërit e tyre humbën jetën në krye të detyrës, Manastirliu: Njëmbëdhjetë fëmijë do të marrin statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”

Prindërit e tyre humbën jetën në krye të detyrës,

Në vigjilje të këtij 5 maji, qeveria shqiptare u ka dhënë sot njëmbëdhjetë fëmijëve të parë statusin “në përkujdesje të Republikës”.

“Sot ky premtim bëhet realitet. Në zbatim të ligjit akordojmë statuset për fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut si shenjë mirënjohje për sakrificën vetëmohuese të baballarëve tuaj të dashur.

Deri kur ky ligj u miratua mungonte një mbështetje e posaçme për fëmijët e dëshmorëve të atdheut apo heronjve që humbën jetën në mbrojtje të pronës publike apo jetës. Një paketë të plotë mbështetje deri sa të dilni në jetë e të mund të bëheni të zotë të vetes”, tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ajo shpjegoi dhe çfarë përmban paketa e mbështetjes për fëmijët e heronjve:

“Trajtim financiar me pagën e prindit që ka humbur jetën gjatë gjithë viteve të fëmijërisë deri në 25 vjeç, nëse fëmija vendos të vazhdojë arsimin e lartë.

Mbështetje për arsimin, kujdes shëndetësor e mbrojtje sociale.

Bursa për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike e tekste shkollore falas.

Bursë të plotë e janë të përjashtuar nga tarifat vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë.

Mbështetje për punësim në administratën publike apo biznes privat”.

“Asgjë nuk mund të kompensojnë humbjen e një prindi apo dhimbjen që lë pas mungesa e një prindi. Mbështetja e qeverise më e pakta që mund të bëjmë në shenjë respekti për atë që ata dhanë për vendin”, tha ministrja.

“Me mirënjohjen e thellë për prindërit që dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e jetës së të tjerëve, u akordohet sot 11 fëmijëve të parë statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””, thuhet në postimin e kryeministrit Rama.