AKTUALITET, 4 Korrik 2026, 16:13

Pretendimi i avokatit se protestuesi u dhunua kur ishte i ndaluar, Bardhi: Trajtim çnjerëzor, Prokuroria të hetojë

Pretendimi i avokatit se protestuesi u dhunua kur ishte i ndaluar, Bardhi:

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së avokatit të protestuesit të ndaluar nga policia, i cili pretendohet se është dhunuar gjatë shoqërimit.

Bardhi kërkon transparencë nga institucionet dhe u bën thirrje Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit të sqarojnë menjëherë ngjarjen, duke theksuar se heshtja vetëm sa shton dyshimet.

"Prej disa orësh, avokati i protestuesit të ndaluar padrejtësisht nga Policia ka bërë një deklaratë tronditëse, pas takimit dhe verifikimit të gjendjes së klientit të tij. Megjithëse kanë kaluar disa orë nga kjo deklaratë, Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar mbi ngjarjen.

Ndërkohë, qytetari është transportuar nga Dhomat e Shoqërimit në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka pësuar kriza të vazhdueshme epileptike.
Nëse pretendimet e avokatit rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një akt jashtëzakonisht të rëndë. Dhuna e ushtruar ndaj një personi të ndaluar, e aq më tepër ndaj një personi me probleme shëndetësore, përbën trajtim çnjerëzor dhe ngre dyshime serioze për shkelje të rënda të ligjit dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Prokuroria e Tiranës ka detyrimin ligjor të nisë menjëherë verifikimet dhe të veprojë pa asnjë vonesë. Po aq e papranueshme është mungesa e reagimit nga Policia e Shtetit dhe Avokati i Popullit, institucione që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për garantimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Heshtja institucionale nuk bën gjë tjetër veçse shton dyshimet dhe cenon besimin e publikut. Nëse faktet provojnë se këto pretendime janë të vërteta, atëherë do të ishim përballë një akti të paprecedentë, që nuk mund dhe nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi.
Nuk dua të besoj se kjo mund të jetë e vërtetë, sepse do të përfaqësonte një tejkalim ekstrem të çdo vije të kuqe që një shtet ligjor nuk mund ta lejojë.

I bëj thirrje Prokurorit të çështjes, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit që të informojnë menjëherë opinionin publik, me transparencë të plotë dhe prova të pakundërshtueshme, mbi atë që ka ndodhur. Në raste të tilla, heshtja nuk i shërben zbardhjes së së vërtetës; përkundrazi, ajo vetëm sa rrit dyshimet dhe dëmton besimin e qytetarëve te institucionet", shkruan Bardhi.